Ky është momenti i shqiptarëve, një erë e re për fryn për ne! Shqipëria fitoi kundër Serbisë me shifrat 0-1 në 11 tetor, ndërsa Kosova fitoi ndaj Suedisë në transfertë në shifrat 0-1 pak orë më vonë. Shqipëria dhe Kosova janë në vendin e dytë dhe thuajse të siguruar për të arritur në fazën e Play Off të Botërorit.
Për herë të parë në histori Shqipëria dhe Kosova është kaq afër Botërorit dhe mund të ndodhi një magji e madhe, që hera e parë e jona të na gjejë bashkë në këtë eveniment kaq shumë të rëndësishëm. Por e bukura e kësaj kohe dhe fatit që po vepron në të mirën e shqiptarëve nuk është vetëm kjo, por edhe bashkimi kundër Serbisë.
Shqipëria e mundi për herë të parë në histori Serbinë në një ndeshje direkte në fushën e blertë dhe siguroi të gjitha shanset për ta marrë vendin e dytë. Kështu në Serbi nisën llogaritë sesi mund të shkonin në Botëror duke dalë në vendin e tretë në grupin tonë.
Dhe sipas llogarive të tyre, shansi i vetëm mbetet nga Liga e Kombeve. Dhe sipas këtyre llogarive, Suedia duhet të merrte vendin e dytë për të mbajtur në lojë sadopak shpresat e Serbisë deri në fund.
Pra nëse Suedia fitonte kundër Kosovës dje në mbrëmje dhe afrohej me vendin e dytë, Serbia kishte shansin e saj për të shkuar në Botëror edhe pse do të ishte në vendin e tretë në grup, pas nesh.
Të paktën ky është raportimi i mediave serbe dhe kështu pas Shqipërisë, me fitoren dje të Kosovës, një tjetër goditje e madhe ka ardhur për Serbinë. Kjo pasi Suedia ka fituar grupin në Ligën e Kombeve dhe e ka të siguruar vendin në Play Off të Botërorit. Por nëse dilte edhe në vendin e dytë të grupit kualifikues ku ndodhet edhe Kosova, do të linte një vend bosh në Ligën e Kombeve, nga ku Serbia kërkonte të përfitonte.
Shqipëria i dha një goditje dhe Kosova i dha të fundit, Serbia është totalisht jashtë çdo gare. Media serbe “Sportklub” shkruan mes deshpërimit: “Suedia humbi, por kjo nuk është problem për suedezët, sepse si fitues të njërit prej grupeve të Ligës së Kombeve, ata janë të sigurt se do të kualifikohen për Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada në Play Off.
Suedia mund të arrijë vendin e dytë në grup vetëm nëse fiton dy fitore bindëse në ndeshjet e nëntorit dhe nëse Kosova humbet ndeshjet e saj. Është e qartë se kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë të ndodhë”, shkruan media serbe. /Sport Ekspres/