Rigels Tepshi, ardhur vetëm në verë nga Teuta tek Korabi, si një element me potenciale pritshmërish të mëdha në sulm. Ai rishfaqet shumë elokuent e fin në fushë sot në sfidën e sotme për Kupë ndaj Veleçikut. Pas një periudhe rikuperimi dhe akumulimi energjish, Tepshi shfaq atë që duhet të demonstronte prej vitesh në fushat tona, por që nuk kishte hapësirën dhe mundësinë ta bënte. Një djalë shumë fjalëpak dhe me forcën e shpërthimit në vetvete tregon fare pak nga arsenali i tij, në sfidën e sotme me Veleçikun për Kupë, duke shënuar jo vetëm golin e avantazhit dhe zhbllokimit të sfidës pas barazimit momental 1-1, por edhe ecurisë së mëtejshme në lojë në ndihmë të skuadrës.
Një element që forcon ndjeshëm për sezonin dhe kampionatin sektorin ofensiv të Korabit, aty ku Deliallisi në pankinë mjafton t’i japë hapësirën e mundësinë në fushë për të bërë atë që Rigelsi vetë ka angazhimin dhe sfidën personale të bëjë. Për disa sezone te Teuta në Superiore nuk e pati mundësinë në fushë të dëshmonte disa prej karakteristikave të tij. Tashmë me ardhjen e tij te Korabi gara është e hapur, dhe arma e tij më e fortë është puna dhe disiplina e ku natyrisht edhe sfida me vetveten për të rritur standartin e tij në fushë si një golashënues rrace. Aktivizimi i tij në rritje e në vijim është një domosdoshmëri për forcimin e sulmit dibran për sfidat në vijim që e presin Korabin. Natyrisht, duke mbetur sërish në vëmendjen dhe radarin e klubeve të tjera. Për momentin ai mbetet i fokusuar te Korabi, ku premton një sezon alla-grande, për tu bërë vërtetë problem i mbrojtjeve të tjera rivale. /Sport Ekspres/

Goli që bëri sot kundër Velecikut për Kupë