Përpara se të luanim me Serbinë në transfertë, shumëkush tha se për Shqipërinë nëse fitohej në këtë ndeshje, do të vlente më shumë sesa kalimi në Botëror. Por ajo ndeshje ka përfunduar me fitoren tonë dhe festa gjithashtu, sot mund të quhet e përfunduar. E përfunduar me një festival golash 4-2 ndaj Jordanisë, në një ndeshje shumë emocionuese dhe me një Armando Broja të rikthyer.
Në grupin K kemi një barazim ndeshjesh sa i përket tre vendeve të para. Anglia është kualifikuar zyrtarisht pas fitores së thellë sot ndaj Letonisë duke siguruar vendin e parë. Më pas vjen Shqipëria me 11 pikë dhe Serbia me 10 pikë, me të njëjtin numër ndeshjesh të luajtura. Disa shpresonin se Andorra mund të bënte befasinë sot kundër Serbisë dhe deri në një moment ia doli, madje në pjesën e parë shënoi dy gola, një në portën e Serbisë dhe një në portën e saj, ndërsa Serbia e përmbysi në 1-3.
Me këtë fitore, Serbia shkon në golavarazhin 7-7, ndërsa Shqipëria është në golavarazhin 6-3. Për fatin tonë të keq, këtë herë nuk kemi rregullin e ndeshjeve direkte, por të golavarazhit. Ndeshja jonë e radhës është kundër Andorrës dhe nëse e fitojmë do të shkonim në kuotën e 14 pikëve. Problemi qëndron në faktin se nëse Anglia, tani e kualifikuar, hap krahun me Serbinë duke dalë në barazim, atëherë situatën e vendos golavarazhi.
Kështu Serbia do të qëndronte në kuotën e 0 golave, ndërsa Shqipëria që është +3 gola, duhet të kujdeset që të fitojë sa më thellë me Andorrën në transfertë, gjë që është e vështirë të ndodhi për ne. Në ndeshjen e fundit ne do të luajmë me Anglinë dhe në rast të një humbje 0-2 dhe një fitore 0-1 në Andorrën, golavarazhi ynë do të ishte +2, ndërsa Serbia pret Letoninë në shtëpi dhe në rast të një fitore 2-0, do të na parakalonte automatikisht në renditje.
Në rast të barazimit edhe të golavarazhit, atëherë merren për bazë se kush ka shënuar më shumë gola dhe aty Serbia është një gol para nesh. Pra për të qenë të qetë, Shqipëria duhet të fitojë me 4 gola diferencë ndaj Andorrës në mënyrë që edhe barazimi i Serbisë në Angli, të mos e vendos shumë në rrezik. Në rast se Anglia bën detyrën dhe fiton ndaj Serbisë dhe Shqipëria fiton me Andorrën, do të kualifikoheshim automatikisht. Ndërkohë në rast fitore të Serbisë kundër Anglisë në transfertë, atëherë duhej me patjetër që edhe ne të fitonim kundër Anglisë në Air Albania pasi në të kundërt, do të ishim të skualifikuar. Gjithçka varet në dorën tonë, por edhe të Anglisë… /Sport Ekspres/