“Kam qenë shumë afër Botërorit, do kishim hyrë vite me parë”, Reja sqaron raportin me Brojën: Me mua luante titullar

Edi Reja ka dhënë një intervistë për “Klan News”, ku tema e diskutimit ka qenë Kombëtarja shqiptare. Trajneri italian ka vlerësuar punën e kryer nga Silvinjo, por ka theksuar se është kulmi i një proçesi të nisur prej tij. Ish-kreu i pankinës së Shqipërisë ka kujtuar faktin se ka pasur një grup prej 50 lojtarësh te kuqezinjtë, të cilët janë tashmë në urdhërat e Silvinjos. Reja nuk është një mendje me zërat se trajneri brazilian ka sjellë emra të rinj në Kombëtare, si dhe shprehet se ka qenë ai i cili ka bindur Asllanin dhe Mitajn për të zgjedhur ngjyrat kuqezi.

“Kam qenë shumë afër Botërorit. Më mjaftonte një barazim me Poloninë dhe mund të kishim hyrë në Botëror shumë vite më parë. Nuk shkoi kështu, por i uroj Shqipërisë që të arrijë atje vitin që vjen.

Lojtarët e rinj të Silvinjos? Po cilët janë këta të rinj?! Strakosha, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Mitaj, Asllani, Laçi, Manaj, edhe Broja, ishin të gjithë me mua. Vetëm Shehu është i ri. Të gjithë të tjerët janë të gjithë lojtarë që kanë luajtur me mua. Jam kureshtar ta di se cili ka thënë që Silvinjo ka futur lojtarë të rinj. Asani po. Ishte një zbulim i ri. Edhe Hoxha. Por këta ishin lojtarë shumë të rinj atëherë. Kam nxjerrë 50 lojtarë te Shqipëria. Më duket e çuditshme që thonë se Silvinjo ka nxjerrë lojtarë të rinj. Kam respekt për Silvinjon, sepse ka bërë një rritje maksimale për vlerat e kësaj skuadre. Por ajo skuadër që fitoi me Serbinë është kryesisht me lojtarë që kanë qenë me mua. Ka ndryshuar aspekti taktik, por skuadra është ajo. Por që dikush të thotë se këta janë lojtarë të rinj… jo, kjo nuk është e vërtetë.

Raporte të këqija me Brojën? Jo, nuk është e vërtetë. Broja me mua ka luajtur gjithmonë. Ka qenë titullar më shumë se sa një herë. Por kisha edhe sulmues të tjerë. Kisha Cikalleshin dhe Manaj. Një trajner i Kombëtares duhet t’i alternojë njëri me tjetrin nëse janë mundësitë. Rëndësi ka që ta duan fanellën e Shqipërisë. Nuk kam luajtur me fenomenë, por me lojtarë të rëndësishëm, që janë të lidhur me fanellën.

Asllanin e doja unë, sepse ishte duke firmosur me Italinë. Fola me menaxherin dhe e bëra të të vinte me Shqipërinë. Kam qenë një vit pas kësaj pune për të bindur që të vinte. Edhe Mitaj po ashtu, donte të luante me Greqinë. Fola me babain dhe ai donte ta dërgonte me Shqipërinë. Ndoshta kishte edhe ide të tjera, por menjëherë erdhi dhe tregoi që kishte aftësi shumë të mira. Një pjesë e madhe e meritës i takon grupit tim, të cilët e bindën dhe e pritën që të rritej. Bëj tifozllëk për Shqipërinë. Dua të jetë një skuadër që të luftojë dhe të ketë ambicien për të shkuar në Kampionatin Botëror. Ka aftësi të jashtëzakonshme. Është një kënaqësi shumë e madhe për Silvinjon, por edhe për mua. Nuk kam këshilla për Silvinjon. Ai është shumë i zoti. I uroj suksese”, është shprehur Edi Reja./Sport Ekspres/