Milani i shpëton turpit kundër Pizës, një gol në minutat shtesë shmang humbjen në “San Siro”

Milani ka hedhur një hap të gabuar mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kanë humbur pikë me skuadrën e ngjitur këtë sezon në Serinë A, me Pizën. Të besuarit e Alegrit kaluan të parët në epërsi me anë të golit të shënuar nga Leao në minutën e 7 të takimit. Me golin e shënuar kaq herët, pritej një fitore e lehtë për Milanin, por e kundërta ndodhi.

Piza përmbysi shifrat në pjesën e dytë të lojës. Kuadradoja barazoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën 60, ndërsa në të 86-n Nzola shënoi golin e dytë për Pizën. Ndërkohë, ishte Atekame ai që shpëtoi kuqezinjtë nga turpi falë golit të shënuar në minutën e 93-të. Sfida përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2, me skuadrat që u larguan me nga një pikë secila nga stadiumi “San Siro”./Sport Ekspres/