Kristjan Asllani është ulur në stol në dy ndeshjet e fundit të Torinos. Trajneri ka preferuar Iliçin nga minuta e parë. Kjo zgjedhje ka ngjallur kureshtje te gazetarët, të cilët kanë kërkuar nga Baroni arsyen që fshihet pas këtij mendimi. Trajneri i Torinos ka thënë për mediat pas ndeshjes së djeshme se me të luan ai lojtar që shfaqet më mirë në stërvitje dhe në fushën e lojës. Në fund ka theksuar se sezoni kërkon një numër të zgjeruar futbollistësh, jo vetëm një formacion fiks.
“Unë nuk përdor sistemin e hierarkisë. Është një formë respekti kundrejt të gjithë lojtarëve. Cilido që e shoh më mirë, luan. Iliçi luajti dy ndeshje të mira, ashtu si Asllani, i cili është i fortë dhe ne e donim. Ai erdhi pas 3 viteve ku nuk kishte luajtur radhazi. Tani ai ka luajtur 10 ndeshje në më pak se 2 muaj. Për mua duhet të jenë të gjithë titullarë. Nuk mund të shkosh deri në fund të sezonit me 12 lojtarë”, ka deklaruar Marko Baroni./Sport Ekspres/