E mbani mend kohën e Thierry Henry, fanellat e O2 të Arsenal, kohën e Van Persie, të Batistutës apo të Seddorf? Askush prej këtyre skuadrave ku kanë luajtur këta futbollistë, nuk do të fitonin dhe do të arrinin objektivat e tyre vetëm për shkak se këta dhe shumë yje të tjerë kanë luajtur me to në të shkuarën. Ne shpesh bëhemi nostagjik për të kaluarën, ashtu siç mund të ndodh edhe në Europë, edhe pse ata më pak pasi kanë të tjerë yje, por futbolli i sotëm është një biznes që kërkohet të bëhet mirë për të mbijetuar në treg.
Arsenali nuk mund të ishte ende në nivelet më të larta të futbolli vetëm sepse dikur ka luajtur Thierry Henry me ta apo sepse ajo fanella e O2 ishte legjendare dhe na kujton pafund lojtarë të kalibrit të lartë nga koha e shkuar. Nëse Arsenali nuk do të kishte marrë afrimet e duhura dhe nëse nuk do të kishte njerëzit e duhur, do të kishte rënë jo vetëm në Championship, por edhe në League One. Sepse tani ekipe e ashtuquajtura dikur të vogla, sot kanë presidentë që janë nga më të pasurit në botë dhe po investojnë shifra të frikshme. Më parë mund të fitoje me fanellë, sot jo.
E përshtatur me realitetin shqiptar, ky sezon i Superiores do t’i jap njëherë e mirë fund ideve nostagjike se kryeqyteti duhet të mbizotërojë gjithmonë sepse ka traditë. Partizani ndodhet në vendin e 8 dhe Tirana në vendin e 9, si rrallëherë vjen një situatë e tillë. Trajneri Kërnaja është duke bërë një punë të mirë tek të kuqtë me çfarë ka mundësi të bëj, por edhe trajneri i ri i provuar në këto kushte është një sprovë më shumë sesa e vështirë, e ardhur në kushte jo normale. E parë në këtë prizëm, puna e tij duhet vlerësuar. Askush nuk mund të fsheh apo mohojë dot as pasionin e Refik Halilit te Tirana, kur shkuan larg me Egbon dikur Halili ishte i mirë dhe tani, i keq, nuk mund të jetë kështu.
Por ajo që duhet të kuptojnë presidentët e Partizanit dhe Tiranës, veçanërisht këtë vit, është se pranë tyre duhen njerëzit e duhur për të goditur me punën e bërë pasi në të kundërt, Kategoria e Parë është rasti më fatlum. Vetëm shikoni në një moment se kush gjenden në pesë vendet e para të Superiores. Vllaznia e Alban Xhaferit që ia ka gjetur telat ekipit dhe udhëheqjes prej disa vitesh, Elbasani që është një model i ri i përsosur, Egnatia që nuk lë vend për diskutime, Dinamo e Ilir Dajës dhe një Teuta e re, që po ringrihet me një tjetër projekt shumë të madh.
Pra asnjë prej këtyre pesë ekipeve të Superiores, nuk është ngjitur papritur nga hiçi dhe jashtë llogjike, për të parakaluar ekipet e kryeqytetit. Sot më shumë se kurrë, në kryeqytet duhet të kuptojnë se në futboll nuk fiton dot sepse t’i quhesh Partizani apo Tirana, sot më shumë se kurrë në kryeqytet duhet të kuptojnë se barazimi dikur zhgënjente ata në të kaluarën dhe tani kundërshtarët. Futbolli dhe jeta ecën me një shpejtësi të madhe. Nëse më parë ishte Skënderbeu që nisi një rritje të frikshme dhe krijoi një hendek me të tjerët, por më pas ra për shkak të dënimit, aktualisht që flasim janë të paktën 5 ekipe që do të krijojnë këtë shkëputje të madhe dhe tani është e pamundur që të pritet për rënien e tyre. Këtë herë rënia e Partizanit dhe Tiranës, nuk tregon me patjetër rënien e nivelit të Superiores, përtej nostagjive. Sot më shumë se kurrë në kreqytet e kanë kuptuar se nuk mund t’i lëshojnë më aq lehtë lojtarët si në të kaluarën pasi ndryshe, do të rrëzohen keq. /Sport Ekspres/