Në kuadër të ndeshjes së ardhshme që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” Shqipëri – Angli, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit ka përcaktuar disa masa organizative dhe udhëzime për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të garantuar sigurinë maksimale të tifozëve.
FSHF fton të gjithë sportdashësit që do të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e mëposhtme:
- Tabela orientuese dhe informacion paraprak për tifozët
Në ditën e ndeshjes, stafi i stadiumit “Air Albania” do të vendosë tabela orientuese në perimetrin e jashtëm të stadiumit, për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjen dhe tribunën përkatëse sipas biletës që kanë blerë.
- Koshat plastike dhe kontrollet fizike
Në pikat e hyrjes së stadiumit do të vendosen kosha plastike për grumbullimin e sendeve të ndaluara, të cilat mund të zbulohen gjatë kontrolleve fizike nga strukturat e sigurisë. Gjithashtu, grumbullimi i monedhave dhe sendeve të tjera të vogla do të bëhet nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.
- Rregullat e hyrjes në stadium
- Të gjithë tifozët duhet të jenë të pajisur me biletën përkatëse për hyrjen në stadium.
- Nuk do të lejohet futja e fëmijëve pa biletë, pavarësisht moshës, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi dhe bllokimi i shkallëve gjatë ndeshjes.
- Gjithashtu, tifozët paralajmërohen se biletat e dublikuara ose të falsifikuara nuk do të njihen nga sistemi elektronik i stadiumit, dhe poseduesit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë.
- Portat e stadiumit do të hapen tre orë përpara fillimit të ndeshjes, ndaj FSHF dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje tifozëve të mbërrijnë në kohë, të ndjekin udhëzimet e rendit dhe të drejtohen drejt tribunës së përcaktuar në biletën e tyre.
Federata e Futbollit falënderon tifozët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, me qëllim që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë sportive, të sigurt dhe korrekte për të gjithë.