“De Biazi nuk ishte trajner”! 86-vjeçarja që të habit për futbollin: Silvinjo nuk i bën ndërrimet në kohë, kisha respekt për të

Një intervistë vërtet shumë interesante ishte ajo e 86-vjeçare që ka folur në lidhje me futbollin dhe Kombëtaren. Informacionet e saj ishin të detajuara, shumë madje, duke kritikuar edhe Silvinjon për ndërrimet e mos bëra në kohë. Ndërkohë kur flitet për De Biazin është temë e mbyllur, nuk ka qenë kurrë trajner. Por jo vetëm për Shqipërinë, gjithashtu është komentuar edhe për futbollin botëror me një tifoze 86-vjeçare që ishte vërtet shumë simpatike me komentet e saj pikante, të dhëna në “Mega Sport” në “A2 Cnn”.

“E pashë ndeshjen me Serbinë. Aq mirë luajtëm sa jam zënë edhe me djalin në shtëpi. “Do t’i mundi Serbia”, më thoshte. Jo i kam thënë, se kemi cuna të mirë ne, do fitojmë se sbën dhe kështu ndodhi, fituam. Bravo. Kaq shumë emocione kur luan Kombëtarja, aq shumë sa nuk ka ku të shkojë. Kam edhe një stërnip që qan shumë kur nuk fiton Shqipëria dhe u gëzova dhe për të. Andorrën e kemi në xhep tani.

Silvinjo? Kisha shumë respekt për të, por këto kohët e fundit është zbehur pak. Ai nuk i bën shumë ndërrimet në kohë, lojtarëve duhet t’i japësh hakun. Atë Jasir Asanin se ka futur nja dy herë. De Biazi? Jo, nuk e dua, nuk ishte për trajner. Ne vajtëm në Europian atëherë se mundëm në tavolinë Serbinë, po mos ta mundim atëherë në tavolinë skishim shanse. Derisa të vdes, sportin nuk e lë”, tha 86-vjeçarja. /Sport Ekspres/