Mediat serbe po shkruajnë dhe luten se Anglia do t’i bëjë një dhuratë të madhe Serbisë. Ata presin që tre luanët të mos impenjohen maksimalisht në këtë takim, në mënyrë që Serbia të dalë me të paktën një pikë dhe të shpresojë deri në ndeshjen e fundit për kualifikimin në Botëror. Por sa e mundur është kjo?
Asnjë shpresë e vetme për Serbinë, teksa trajneri i Anglisë, Tuchel, do të hedh në fushë formacionin më të mirë. Kjo pasi për Anglinë është ndeshja e fundit në shtëpi përpara se të fillojë Botërori. Trajneri i Anglisë u shpreh se e di mirë se Serbia do ta luajë këtë ndehsje si finale, por ai po e përgatit për të përsëritur fitoren 5-0 si në ndeshjen e parë në Beograd.
“Varet gjithmonë nga ne. E kemi bërë mirë punën në ndeshjen e fundit dhe do ta bëjmë përsëri tani. Për Serbinë do të jetë një ndeshje finale dhe kështu do të shohim anën e tyre më të mirë. Ne jemi përgatitur për këtë dhe shpresoj se këtë herë do të kemi edhe stadiumin me vete. është një ndeshje kualifikuese Botërori, një ndeshje në shtëpi, jemi këtu për të fituar”, tha Tuchel.
Por ka edhe një arsye tjetër se përse Anglia nuk duhet të gabojë me Serbinë dhe nuk duhet të zhgënjejë tifozët me performancën. Në ndeshjen e fundit të luajtur në Wembley, ku Anglia fitoi 3-0 me Uellsin, trajneri Tuchel nuk ngurroi që të kritikonte tifozët e Anglisë.
“Ne e dërguam rezultatin 3-0 shumë shpejt. Mund të shënonim edhe golin e 4 apo të 5, por nuk e realizuam dot. Në stadium e donin këtë gol të 4 dhe të 5 dhe pastaj qëndruan në qetësi, sepse ne nuk e realizuam dot. Mendoj se ishte shumë qetësi dhe lojtarët tanë nuk e morën energjinë mbrapsht të tifozëve të tyre, nuk na mbështetën”.
Këtë herë stadiumi do të jetë i stërmbushur dhe të gjithë në Angli janë me sytë nga trajneri, për të parë se çfarë performance do të ketë. Në një moment kur steka është ngritur, Tuchel nuk do të falë asgjë dhe do të kërkojë që të vazhdojë me këtë ritëm të frikshëm të rezultateve në rrugën drejt Botërorit. Një marsh më pak Anglia mund ta ketë me shumë gjasa në ndeshjen kunër Shqipërisë në transfertë, pra në Air Albania, por kurrsesi nuk mund ta ketë në këtë moment. /Sport Ekspres/