“Andorra është ekip i papërshtatshëm”, Ajeti i kënaqet edhe rezultatit 0-1: Ata ishin të gatshëm të luftonin për të mbyllur çdo pjesë të fushës

Një ëndërr e bërë realitet. Shqipëria ka shkruajtur sot historinë, teksa për herë të parë ka siguruar një vend për në fazën “play off” të Kupës së Botës 2026. Misioni në Andorra është përmbushur me sukses. Kuqezinjve i ka mjaftuar goli i Asllanit në minutën e 67 për të mposhtur Andorrën me rezultatin minimal 0-1. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët, trajneri dhe presidenti i FSHF-së kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Supersport”-it.

Ajeti: “E dinim që do të ishte një ndeshje e tillë. Andorra është një kundërshtar shumë i papërshtatshëm. Luajnë shumë pranë zonës së 16-shes dhe kryejnë shumë faulla. Por megjithëse fituam vetëm 1-0, e kemi kryer detyrën. Jo vetëm mbrojtësat, por të gjithë lojtarët kanë luajtur shumë mirë në mbrojtje. Me Gjimshitin njihem prej 17 vitesh. Jemi shokë me njëri-tjetrin. Në Kombëtare ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi dhe që përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Në çdo ndeshje do të jap maksimumin. E kam dhënë që nga ndeshja e parë dhe do ta jap deri në ndeshjen e fundit. Sot kishim pak vështirësi, sepse Andorra mbyllej shumë mirë. Ishin të gatshëm për të luftuar dhe për të mbyllur çdo pjesë të fushës. Edhe ne i mbyllemi të tjerëve, kjo është e vërtetë”.

Manaj: “E dinim që sot do të ishte ndeshje shumë e vështirë. Kishte 3 ditë që ndihej ai tensioni i objektivit, sepse kur je kaq pranë objektivit… Fatmirësisht që futi atë top mjaft mirë Uzuni dhe erdhi goli. Kemi 8 ndeshje pa humbur, bashkë me miqësoret. Sot nuk bëmë një ndeshje të mirë, por me karakterin që treguam, treguam që donim ta fitonim ndeshjen. Kjo ka rëndësi. Le t’i bëjnë golat Asllani dhe të tjerët, për mua nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të fitojë Kombëtarja.

Mërzia e Brojës? Nuk e pashë këtë situatë, sepse po festoja me ekipin. Të gjithë ndihen mirë. Nuk duhet të fokusohem vetëm te një lojtar. Të gjithë djemtë janë në harmoni. Ne që kemi më shumë vite, duam t’i ndihmojmë. Jemi këtu jo vetëm për të luajtur, por edhe për momentet e vështirë. Nëse dikush ka nevojë për një fjalë të mirë, ne jemi këtu. Kombëtarja është me faza. Në kualifikueset e Europianit luanin të tjerë lojtarë, tani trajneri ka futur të tjerë. Nuk duhet të ketë xhelozi se cili luan dhe cili nuk luan. Vetëm kështu mund të shkojmë në Botëror”.

Silvinjo: “A mund t’i bënim zëvendësimet më përpara? Jo. Mendoj që jo. Broja? Bëra një mbledhje me stafin. Ishte një ndeshje e vështirë. Kjo është një skuadër e vështirë. Anglia i ka mundur 0-1. Barazoi 2-2 me Letoninë. Duhet t’i respektojmë. Jemi rritur shumë, por nuk jemi Gjermania që të fitojmë thellë. Pashë që Broja ishte pak i trishtuar. Nuk e di pse, është problemi i tij. Por çfarë nate e mrekullueshme. Kemi një ditë historike që mund të shijojmë një arritje në ‘play off’. I gjithë vendi duhet të festojë. 3 milionë shqiptarët në shtëpi dhe 6 milionë jashtë duhet të festojnë. Të gjithë punën e bëj për tifozët”.

Hoxha: “Ishte një ndeshje e vështirë. E dinim që Andorra do të luante kështu. Në 45 minutat e para ishte shumë, shumë e vështirë për të gjetur hapësira për të shpuar mbrojtje. Në pjesën e dytë rritëm edhe ritmin sulmues. Sa minuta luaj unë e vendos trajneri. Unë jam gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren. Normalisht që do të doja të isha në formacion edhe ndaj Anglisë. Tani te klubi luaj çdo ndeshje dhe e kam rritur ritmin. Këtë fitore ia dedikoj të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës dhe të gjithë atyre që morën një rrugë të largët për të qenë këtu”.

Duka: “Asnjë nuk mund të mendonte që ka kundërshtarë të lehtë. Me Andorrën të gjithë ekipet e grupit tonë nuk e kanë pasur të lehtë. Anglia këtu ka fituar 0-1. Ngarkesa ekziston. Padyshim që ka presion. Mënyra se si u zgjidh tregon një profesionalizëm të mirë të skuadrës. M’u duk sikur ata kanë pasur më pak emocion. Unë kam pasur më shumë emocion në shkallët e stadiumit. Ndërsa lojtarët më të qetë. Patëm një mini-festë dhe thamë që tani duhet të shikojmë ‘play off’-in.

Nëse nuk impenjohesh, nëse nuk përqendrohesh, nëse nuk luan si skuadër, humb kundër Andorrës edhe kundër çdo kundërshtari tjetër. Jam shumë i sigurt që do të kemi një lojë shumë më të mirë ndaj Anglisë. A po e ndiqja edhe ndeshjen e Serbisë? Kam parë vetëm ndeshjen tonë. Gjatë gjithë ndeshjes kam qenë i përqendruar te ndeshja jonë. Kisha besim që Anglia do të fitonte kundër Serbisë. Kam pasur jashtëzakonisht shumë presion”./Sport Ekspres/