Një premtim që u kthye shpejt në realitet. Pas miratimit të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në mbledhjen e fundit, për të përfshirë fëmijët e Luginës së Preshevës në projektet “Uniforma ime” dhe “Topi Yt”, një delegacion shqiptar udhëtoi drejt kësaj treve për të bërë realitet ëndrrën e dhjetëra fëmijëve shqiptarë dhe për të vijuar mbështetjen e tyre.
Delegacioni shqiptar i përbërë nga Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Andi Zëre, Drejtor i Futbollit Bazë në FSHF, dhe Migjen Basha, ish-futbollist i Kombëtares, ishte i pranishëm në këtë aktivitet emocionues së bashku me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, përfaqësues të tjerë të futbollit në Preshevë, si edhe prindër e dhjëtera vogelushë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë.
Në total, 213 fëmijë të moshave U-9 dhe U-11 u regjistruan në sistemin Comet, platforma zyrtare ku regjistrohen të gjithë futbollistët shqiptarë. Po aq sete uniformash mbërritën në Preshevë dhe u dhuruan falas nga FSHF. Këto uniforma janë pjesë e një nisme më të gjerë, që këtë sezon, për të tretin radhazi do t’u mundësojë bazë materiale falas rreth 20 mijë fëmijëve futbollistë, nga mosha U-7 deri në U-19 në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu, u dhuruan topa falas edhe për 15 ekipe fëmijësh në këtë zonë, në kuadër të projektit “Topi Yt”.
Anëtarja e KE-së mbajti një fjalë të shkurtër përpara të pranishmëve në këtë aktivitet, duke e cilësuar si një premtim të mbajtur të FSHF-së dhurimin e uniformave falas për fëmijët e Preshevës. “Në emër të FSHF-së dhe Presidentit Armand Duka, ju them në verë dhamë në këtë fushë një premtim dhe sot është një premtim i mbajtur. Sot kemi kënaqësinë të sjellim setin e parë të “Uniforma ime”. Është një projekt që FSHF e zhvillon në Shqipëri për të gjithë fëmijët e regjistruar në Akademi dhe duan të luajnë futboll. Shpresoj shumë që me këto dy projekte që i kemi nisur sot, “Uniforma ime” dhe “Topi im” të kemi mundësinë të hapim rrugën e një bashkëpunimi më afatgjatë dhe të shtrirë në kohë sepse ne besojmë dhe shpresojmë që fëmijët këtu në Preshevë dhe Bujanoc kanë mundësi që të jenë nesër futbollistët tanë të Kombëtares” – tha Anila Basha në fjalën e saj.