Silvinjo ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Anglinë. Pyetjet kryesore ishin në lidhje me Armando Brojën, teksa trajneri është munduar që të mos e trajtojë si një çështje kaq të madhe për ta barazuar lojtarin e Burnley me të tjerët.
“Kam folur me Brojën personalisht, kam folur dhe me gjithë pjesën tjetër të ekipit. E kemi zgjidhur problemin, ishte ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë, ishte arritja jonë historike dhe të gjithë duhej të festonim. Ishte i mërzitur, i mërzitur që doli nga fusha vetëm 10 minuta pas pjesës së dytë. është një nga 25 lojtarë që ne kemi, por nëse ndodh që ne kërkojmë që një lojtar duhet të luajë diku tjetër, duhet ta bëjë. Kemi Myrto Uzunin, luan në krahë të djathtë, në krahë të majtë, në qendër. Nuk e di nëse Armando Broja është sulmues qendre apo jo, por di të them se ne nuk jemi të çmendur dhe nuk po e fusim si qendër mbrojtës”, tha Silvinjo.
Nga ana tjetër, Berat Gjimshiti është ndalur më tepër te dueli i nesërm me Harry Kane. “Nuk është misioni im të ndalim Harry Kane. Gjithë mbrojtësit në botë kanë vështirësi ndaj tij. Luajmë, mbrohemi dhe sulmojmë si skuadër. Pse mos të jemi ne të parët që i shënojmë gol Anglisë. Besojë se jemi të përqendruar te i gjithë rivali, jo te vetëm një lojtar.
Sigurisht që mendojmë për “play-off’-in. Fillimisht të përqendrohemi vetëm te Anglia, pastaj të shikojmë kur të hidhet shorti. Ndaj Anglisë mund të mësosh. Të marrim gjithçka nga këto kualifikuese. Harry Kane lëviz shumë. Nuk rri kurrë afër mbrojtjes. Ai shkon në mesfushë, merr topin, teknikisht shumë i fortë. Nëse luan Foden, kualitetet janë aty. Duhet te kemi kujdes ndaj tyre”, tha Gjimshiti. /Sport Ekspres/