Shqipëria ka përmbyllur mbrëmjen e sotme fushatën kualifikuese për në Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë janë mposhtur me shifrat 0-2 nga Anglia në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”. Ekipi kombëtar shqiptar ka zhvilluar një paraqitje për t’u duartrokitur, teksa ka luajtur si i barabartë kundër “tre luanëve”. Kuqezinjtë patën rastet e tyre për të shënuar, duke rrezikuar disa herë portën angleze. Por, në fund mori jetë rregulli i pashkruar i futbollit: “Nëse nuk shënon, do të pësosh”.
Harri Kejni “prishi” mbrëmjen për shqiptarët në “Air Albania”. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut zhbllokoi shifrat në minutën e 74-t, ndërsa në të 82-tën vulosi rezultatin përfundimtar të takimit. Një mbrëmje e pafatë edhe për Armando Brojën. Pak minuta pas hyrjes në lojë u detyrua të largohen me barrelë nga fusha. “Mallkimi” i dëmtimeve vazhdon për sulmuesin e Bërnleit, i cili shpërtheu në lot pas dëmtimit që pësoi në kavilje./Sport Ekspres/