“Kemi krijuar raste deri në minutën e 70”, Laçi ndjen keqardhje për golin e pësuar: I kishim punuar goditjet nga këndi

Shqipëria ka përmbyllur mbrëmjen e sotme fushatën kualifikuese për në Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë janë mposhtur me shifrat 0-2 nga Anglia në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”. Ekipi kombëtar shqiptar ka zhvilluar një paraqitje për t’u duartrokitur, teksa ka luajtur si i barabartë kundër “tre luanëve”. Kuqezinjtë patën rastet e tyre për të shënuar, duke rrezikuar disa herë portën angleze. Megjithatë, në fund nuk mundën ta shmangnin humbjen. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”.

Laçi: “Besoj se nga minuta e parë nga ana taktike kemi qenë shumë mirë. Edhe në kundërsulm kemi bërë shumë mirë. Ndaj një kundërshtari si Anglia nuk është e lehtë ta bësh. Deri në minutën e 70 kemi krijuar disa raste. Por pastaj një goditje nga këndi dhe na shënuan. I kishim punuar goditjet nga këndi. Fatkeqësisht…”.

Hoxha: “Besoj që bëmë një ndeshje shumë të mirë. U mundova të bëja detyrën time, t’i vija në vështirësi në lojën një kundër një. Besoj që e bëra diferencën. Na mungoi edhe fati sot. Rasti që humba në zonë? Vrapova nga 16-sha në 16-she dhe doja ta përfundoja aksionin menjëherë. Bajrami më bëri një super pasim, por nuk arrita të shënoja. Më dhemb kjo. Unë mer zor pres të kem situata një kundër një dhe nuk hezitoj. Nuk dua t’ja di kush është përpara, i shkoj deri në fund”.

Ismajli: “E arritëm atë që donim, të arrinim në ‘play off’. Ishte një ndeshje shumë e luftuar. Kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për ndeshjet e marsit, ku do të kemi dy finale. Siç na kanë bërë tifozët krenarë ne në çdo cep të botës, ashtu shpresoj t’i bëjmë krenar edhe ne. Pata dy lëndimi, por tani jam në rregull. Krenar që jam këtu. Si në stol, si në fushë, jam gati të jap 100%-shin. Sa për faull, folëm me arbitrin dhe na tha që nuk kishte asgjë. Kejni e kishte goditur pak Strakoshën (te goli i parë), por fillimisht kishte prekur topin”.

Ramadani: “Na motivon shumë, sepse për 70 minuta ishim në të njëjtin nivel. Nuk kishim diferenca të mëdhaja në fushë. Do ta motivojë shumë për fazën e “play off”-it, sepse aty nuk do të ketë ekipe të lehtë dhe do të tregojmë dhembët ndaj çdokujt. Te ne nuk ka rëndësi kush luan. Nuk do të ishim këtu nëse nuk do të ishim grup i mirë. Ata po hasnin vështirësi në mesfushë, sepse ne po i dublonim shumë mirë”./Sport Ekspres/