“Ore a do luajmë ne njëherë njësoj në dy ndeshje?”, deklarata e Bashkim Tufës: Bajrami “i bëri akuzë” Silvinjos

Gazetari Bashkim Tufa ishte i ftuar në emisionin “Mega Sport” që transmetohet në “A2 Cnn”. Tufa ka përmendur diferencën mes dy ndeshjeve që ka zhvilluar Shqipëria, nga ajo ndeshje kundër Andorrës në transfertë te kjo ndeshje kundër Anglisë, në fare pak ditë. Një diferencë e madhe në stilin e lojës dhe mënyrës sesi performoi Shqipëria, pavarësisht faktit se e mira ishte sot dhe “e keqja” ishte në Andorrë.

“Më pëlqeu shumë ndeshja e Shqipërisë sot. Bajrami ka bërë një ndeshje aq shumë të mirë sa “bëri një akuzë” ndaj Silvinjos. Them kështu pasi luajti shumë mirë dhe Silvinjo duhej ta kishte aktivizuar dhe më parë. Tha në konferencë për shtyp se e merr Bajramin pasi është golashënuesi më i mirë te Shqipëria, por pastaj e la në stol kundër Andorrës.

Sot kemi luajtur edhe me 10 lojtarë, nuk ka rëndësi se për sa minuta, por është përgjegjësi është stafit teknik. Mua ajo që më shqetëson është fakti se kalojmë nga një ndeshje si ajo me Andorrën ku luajtëm keq te kjo ndeshje me Anglinë që kemi luajtur shumë mirë. Pyetja ime është kjo: “Ore a do të luajmë ne njëherë njësoj”, tha Tufa. /Sport Ekspres/