Shqipëria është në Play Off-in e Botërorit për herë të parë në histori. Së bashku me Shqipërinë, edhe Kosova ka marrë një arritje po kaq të madhe, teksa rrëmbeu vendin e dytë në grup duke lënë pas vetes Slloveninë dhe Suedinë. Për fatin e mirë, nuk do të kemi një vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës në Play Off të Botërorit. Kjo nuk do të ndodhi as në fazën gjysmëfinale dhe as në fazën finale.
Për ta shpjeguar edhe njëherë më qartë, Shqipëria dhe Kosova duhet të fitojnë kundër dy Kombëtareve për të marrë biletën e Botërorit. Ndeshja do të jetë teke dhe jo me sistem vajtje ardhje. Zyrtarisht Shqipëria dhe Kosova ndodhen në vazon e tretë, ndërsa do të përballemi në gjysmëfinale me një Kombëtare të vazos së dytë.
Në vazon e dytë gjenden Polonia, Uellsi, Cekia dhe Sllovakia. Pra Shqipëria dhe Kosova do të kapin nga një kundërshtar në gjysmëfinale nga kjo vazo dhe do të luajnë në transfertë për biletën finale. Për shkak se ndodhen në vazon e dytë, Kombëtaret e tjera janë të avantazhuara për ta zhvilluar atë tek ndeshje në shtëpi. Por këtu kemi një lajm të mirë me ndarjen që ishte supozuar më parë.
I ftuar në “Mcn Tv”, De Biazi tha se uronte shumë që Shqipëria të mos përballej me Irlandën pasi nuk shihte shumë shanse për ne në një ndeshje të tillë. Dhe jo pa të drejtë pasi nëse shihni përbërjen e Irlandës, mbrojtja e saj është e përbërë nga Premier League me lojtarë që kanë cilësi shumë të mirë teknike, por të kombinuar me një forcë fizike që është e llahtarshme. Për fat të mirë kjo përballje është evituar për ne pasi Irlanda ka zbritur në vfazon e tretë.
Me Cekinë, Poloninë dhe Uellsinë kemi luajtur në të kaluarën dhe ia kemi dalë mbanë duke fituar ndaj këtyre tre kundërshtarëve, ndërsa edhe me Sllovakinë, do të ishte e favorshme duke parë nivelin e vështirësisë në këtë moment.
Ndërkohë ekipet e vazos së parë, Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina do të përballen me ekipet e vazos së katërt, ku ndodhet Suedia, Rumania, Maqedonia dhe Irlanda e Veriut. Pra nëse Shqipëria dhe Kosova do të fitojnë në gjysmëfinale do të përballen me një katër fituesit e këtyre çifteve. Por duke parë emrat që ndodhen në vazon e katërt nuk do të ishte ndonjë çudi e madhe që nga vazo e parë të kishim ndonjë eleminim të parakohshëm të Italisë, Danimarkës, Turqisë apo Ukrainës. Sa i përket ndeshjes finale, fusha do të vendoset nëpërmjet shortit për të kuptuar se kush do të ketë fatin që do ta pres ndeshjen në shtëpi dhe këtu nuk përdoret më avantazhi i pikëve të grumbulluara dhe vazos të ndodhur më sipër. /Sport Ekspres/