Në kufijtë e së pabesueshmes është ajo që ka ndodhur dje në “Fadil Vokrri”. Granit Xhaka është vërshëllyer nga stadiumi dhe tifozët shqiptarë sa herë që prekte topin në ndeshjes mes Kosovës dhe Zvicrës. Pamjet
Pamjet nuk kanë nevojë për shumë koment, sa herë që Granit Xhaka prekte topin i gjithë stadiumi vërshëllente duke krijuar një situatë të pakëndshme dhe duke ngjallur shumë polemika në përfundimin e takimit. Disa kohë më parë Granit Xhaka coi peshë shqiptarët me shqiponjën në Serbi, ndërsa tani pritet me vërshëllima nga ana e tifozëve shqiptarë. Por përse ndodhi një skenë e tillë? E kemi thënë edhe më parë që jo vetëm Granit Xhaka, por të gjithë lojtarët e tjerë tanët që luajnë te Zvicra luajnë me dy porta.
Një tjetër intervistë japin në mediat shqiptare dhe një tjetër intervistë në mediat e tyre, në këtë rast të Zvicrës. Ishte e disata herë radhazi që Granit Xhaka shprehej se lojtarët që janë te Kosova dhe kishin mundësinë të vinin te Zvicra, e morën këtë vendim pasi nuk mund të luanin dot te Zvicra, duke “ofenduar” në një farë mënyre cilësinë dhe futbollistët dardan.
Por njëkohësisht kjo shërben edhe si një thirrje për lojtarët e tjerë që duhet të zgjedhin Zvicrën para Kosovës apo Shqipërisë. Në këto kushte, ishin të shumtë tifozët që e vërshëllyen Granit Xhakën sa herë prekte topin, ndërsa në momentin e zëvendësimit të tij, stadiumi u nda mes duartrokitjeve dhe vërshëllimave. Menjëherë pas ndeshjes, Granit Xhaka tregoi gjithë habinë e tij në mediat zvicerane. “Unë u surprizova shumë ashtu si edhe ju. Kjo ishte gjëja e fundit që unë prisja të ndodhte, vecanërisht në shtëpi. Më dhemb, por duhet të jem i sinqert, më duhet ta pranojë, pavarësisht se nuk më pëlqen, ky është futbolli. Jam i lumtur për çdo minutë dhe për çdo tifozë të Zvicrës që erdhi këtu. Sot kemi bërë shumë zviceranë që të ndihen të lumtur”, tha Granit Xhaka.
Gjithashtu mesfushori shqiptar e shprehur të gjithë nervozimin e tij pas përfundimit të ndeshjes. Xhaka ka pasur një diskutim shumë të ashpër dhe me nerva me kryetarin e tifogrupit të Dardanëve, duke i kërkuar shpjegime për vërshëllimat që ishin në drejtim të tij. Një bisedë e bërë në gjuhën shqipe, ndërsa pranë Xhakës ndodhet edhe një zyrtar i Zvicrës. Duke parë tensionet e larta dhe pa e kuptuar gjuhën, zyrtari i Zvicrës kërkoi të kapte Xhakën për ta hequr pasi mendonte se situata mund të shkonte akoma edhe më rëndë. Por Xhaka i ka kërkuar që ta lëshojë duke vazhduar diskutimin, për të shfaqur të gjithë mllëfin dhe befasinë e tij për mënyrën sesi u prit në Kosovë. /Sport Ekspres/