I madhi Granit Xhaka, “i vogël” për të dalë mbi Shqipërinë dhe Kosovën…

Nga dje në mbrëmje ka nisur një histeri e madhe kolektive për të mbrojtur figurën e Granit Xhakës. Dhe nga kush…nga shqiptarët! Të madhe dhe të vegjël, sportistë dhe politikanë, të gjithë kanë dashur pak copëz nga tema e momentit. A duhej vërshëllyer Granit Xhaka? Sot praktikisht vetëm Edi Rama nuk ka reaguar në lidhje me këtë temë.
Shikoni, është shumë e kuptueshme kur njerëzit e sportit të flasin për këtë çështje dhe të kenë mendime të ndryshme, bota prandaj është e bukur, do të ishte shumë e mërzitshme sikur të mendonim të gjithë njësoj. Por kur dalin disa personazhe jo sportiv që e mbrojnë Granit Xhakën vetëm sepse e njohin dhe pa ditur fare historinë, kjo është e neveritshme. Në rregull, por nga kush po e mbroni, nga ne shqiptarët?
E sigurt është se nëse lojtari në fjalë nuk do të ishte Granit Xhaka, të gjithë do të mbronin tifozët e Kosovës, ata që vepruan në këtë mënyrë. A është Granit Xhaka një prej lojtarëve shqiptarë më të mirë të prodhuar ndonjëherë në histori? Po është, e vërtetë. A i meritonte Granit Xhaka dje vërshëllimat? Ndoshta jo, por e sigurt është se as duartrokitjet e tifozëve nuk i meritonte.
Dikur zgjodhi Zvicrën para Shqipërisë, njerëzit thanë se kishte prapaskena kjo histori, Shqipëria nuk të vlerësonte. Pastaj Kosova krijoi Përfaqësuese dhe Xhaka mund të vinte te dardanët, por prapë jo, zgjodhi që të qëndronte te Zvicra. Por në një moment që karriera e tij po vjen drejt fundit, në “jetën e dytë” të futbollit, mund ta kursente mbështetjen kaq pasionante për Zvicrën dhe të mbështeste më shumë Shqipërinë dhe Kosovën, përtej deklaratave:
“Cohu Adem”.
Ademi për sa kohë ishte punoi me jetën e tij për Shqipërinë dhe Kosovën, ai e mbaroi ciklin e tij, çfarë po bëjmë ne të tjerët që duam të çohet Ademi? Kjo është pyetja!
Dhe është e disata herë që në mediat e Zvicrës, Granit Xhaka po thotë se lojtarët që vijnë te Kosova dhe Shqipëria janë të dorës së dytë, pasi ata të dorës së parë zgjedhin Zvicrën. Kjo nuk është thjeshtë “ofendim” për lojtarët që ne kemi, por është edhe sinjal për lojtarët e tjerë që Zvicra nuk duhet të llogaritet para Shqipërisë dhe Kosovës, e thënë publikisht. Po dëgjojmë fjalët e ambasadorit shqiptar me logon e Zvicrës.
Nëse Granit Xhaka e mendon realisht këtë gjë, është shumë e turpshme, po të njëjtën gjë tha edhe Blerim Dzemaili, por aty ishim të gjithë në një mendje që t’i hidheshim në fyt. Nëse kjo ishte pastaj një deklaratë për të konsoliduar pozitat e tij te Zvicra duke menduar për të ardhmen jashtë futbollit, tregon prapë një interes që vendoset mbi kombin dhe atdheun, që është akoma edhe më e pështirë. Granit Xhaka është lojtari më i madh aktualisht shqiptar në botë, por shumë i vogël për t’u vendosur mbi Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndoshta nuk meritoi vërshëllimat, por nuk meritonte as duartrokitjet. Shqiponjën në Serbi e bëri edhe Rei Manaj, por kjo nuk do të thotë se do të qëndrojmë gjithë jetën duke e vlerësuar vetëm për këtë pjesë nëse Rei Manaj paraqitet në mënyrë skandaloze për 5 ndeshje radhazi te Shqipëria dhe nuk di ç’flet. Jeta vazhdon, e rëndësishme është që interesat tona të mos përplasen me të mirën e kombit…