“Mehmeti nga e majta, Uzuni i fshehtë dhe Hoxha e djathta”! Ruci tregon si do luante kundër Polonisë nesër: Kam edhe një ide tjetër…

Vasil Ruci, legjenda e futbollit shqiptar ishte i ftuar në emisionin “Mega Sport” që transmetohet në “A2 Cnn”. Një ide shumë interesante e Vasil Rucit ishte ajo sesi Armando Broja mund të shpërthejë dhe të jap më shumë fryte nëse do të luante në krahun e majtë të sulmit.

“I uroj suksese Kombëtares që arriti deri këtu. Nuk duhet të kemi frikë, në këto ndeshje vendos shumë performanca dhe përzgjedhja e trajnerit. Kemi mundësitë të marrim më të mirët e mundshëm. Nuk jam dakort me Silvinjon kur luajti me dy kontroll në mesfushë ndaj Andorrës. Kundër Serbisë po, Qazim Laçi dhe Shehu ishin të shkëlqyer kundër Serbisë, por nuk mund të luash dot kështu edhe me Andorrën. është një rival shumë modest Andorra dhe nuk mund të luash njësoj.

Në këtë gjendje që janë sot lojtarët, Broja ka tërheqje më të mirë të topit se Hoxha dhe duhet të luajë nga e majta. Hoxha është më i mirë në formë momentale, por duhet të fitojmë Brojën. Në këtë gjendje sot që flasim psikologjike dhe forma e lojtarëve, për mua duhet që Broja të luajë nga e majta si ëinger dhe Hoxha të luajë nga e djathta pasi ka një super formë dhe do të bënte mirë edhe aty.

Broja u shfaq direkt me Anglinë, e pamë mirë, sa hyrë krijoi situatat, nuk mund të luajë nga e djathta. Ai mund të luaj vetëm nga e majta që të futet në driblim dhe krijon hapësirë prë të goditur portën me të djathtën. Nuk duhet ta humbasim futbollin e këtij djali”, ka thënë Ruci.

Megjithatë kjo ide ishte për vazhdimësinë ose nëse forma e lojtarëve ndryshon, pasi i pyetur nëse ndeshja Poloni-Shqipëri luhej këtë javë dhe jo në mars, Ruci do të zgjidhte Anis Mehmetin në vendin e Armando Brojës.

“Nëse ndeshja me Poloninë do luhej këtë javë, Brojën do ta lija në stol. Do fusja Anis Mehmetin sepse ai është luan në një kampionat që shquhet për dulet fizike, pra që janë fizikisht shumë mirë dhe polakët janë të tillë, fizikisht shumë të mirë. Do ta fusja në sulm dhe ta vija para një përgjegjësie. Edhe në finale bëhen prova të tilla, sidomos me lojtarë që kanë produkt të tillë në kampionatin e tyre si Anis Mehmeti. Unë do preferoja Anis Mehmetin nga e majta, Arbër Hoxhën nga e djathta dhe Uzunin si sulmues të fshehtë që vjen nga mesfusha.

Do sulmoja me linjat dhe nga mesfusha Uzuni të shkelte zonën e kundërshtarëve pasi e bën punën shumë mirë pas mbrojtjes. Kam dhe një merak tjetër, nëse do të gjenim një mbrojtës me këmbë të majtë, do ta rrisnim lojën tonë me 30% më shumë. Arsyeja është kjo, nëse do gjenim mbrojtësin me këmbën e majtë që të luante ai atje dhe Gjimshiti nga e djathta, me këta dy lloj mbrojtësish, jam i bindur se do të dilnim kollaj nga presioni i kundërshtarit. Gjimshiti i kalon lehtë linjat, vertikalizon shumë mirë duke mbajtur topin dhe nuk je i detyruar që të kthesh Asllanin aq mbrapa gjithmonë që të qarkullojmë lojën”, tha Ruci. /Sport Ekspres/