Euro U-19 për vajza/ Shqipëria luan ndeshjen e parë kundër Luksemburgut

Shqipëria U-19 për vajza zhvilloi sot ndeshjen e parë të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2026, përballë Luksemburgut. Në takimin e zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia”, përfaqësuesja kuqezi u mposht me rezultatin 0-3.

Trajnerja Daniela Kodra e nisi takimin me formacionin titullar: Mone (GK), Bajramaj, Hasaj, Mustafaj, Hysa, Ago, Kadiolli, Vata, Ndoj, Qose, Reci.

Luksemburgu shënoi që në minutën e 10-të me Konsbruck, duke kaluar në avantazh. Pavarësisht përpjekjeve të vajzave kuqezi dhe rasteve të krijuara, pjesa e parë u mbyll nën epërsinë e skuadrës mike.

Në minutën e 55-të, Ribeiro dyfishoi shifrat për Luksemburgun, ndërsa në të 96-tën vulosi rezultatin me golin e tretë. Shqipëria pati disa mundësi të mira për të ngushtuar dhe barazuar rezultatin, por portierja mike u tregua vendimtare në disa momente.

Ndërkohë, takimi tjetër i ditës, i luajtur në “Air Albania” mes Lihtenshtejnit dhe Sllovakisë, përfundoi me fitoren e këtyre të fundit, 0-11.

Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjen e radhës më 28 nëntor, në “Arena Egnatia”, ndaj Sllovakisë, në ora 14:00. Takimi do të transmetohet live në FSHF TV.