Zakonisht në Kombëtaret e tjera ndodh që lojtarët më të mirë të grumbullohen dhe të thonë fjalën e tyre në fushën e lojës, ndërsa te Shqipëria ndodh e kundërta, lojtarët konfirmohen nga Kombëtarja. Por për sa kohë edhe kjo formulë i jep sukses Silvinjos, askush nuk mund ta kundërshtoj.
Një rast i tillë ishte edhe ai i Nedim Bajramit. Shumë kohë i përjashtuar nga Rangers, veçanërisht me trajnerin e ri, Rohl, që e hoqi edhe nga kampionati duke mos e grumbulluar më. Shqipëria e fton dhe Bajrami nxjerr në pak minuta golin që na siguroi kualifikimin në Play Off të Botërorit, ndërsa kundër Anglisë ishte fantastik. Pasi e ndoqën në ndeshjen me Anglinë, te Rangers u bindën se Bajrami e meritonte një shans. Kështu mesfushori shqiptar rihyri në organikën e ekipit dhe tani ka shpërthyer me super performanca. Në ditën e djeshme arriti që të realizonte golin e barazimit me Dundee nga penalltia në minutën e fundit, por përtej një goli të tillë nga 11-metrat, ishte më i miri në fushën e blertë te Rangers.
“Unë kam shumë histori dhe eksperiencë në goditjet e penalltive, prandaj e mora përsipër dhe arrita ta shënoj, kam vetbesimin e duhur në këtë pjesë. E shkuara është e shkuar, nuk dua që t’i kthehem prapa dhe ta diskutoj këtë histori. Kisha shumë kohë jashtë ekipit, fola me trajnerin e ri kur erdhi pastaj ika te Shqipëria, luajta kundër Anglisë dhe besoj se luajta mirë. Më pas erdha këtu dhe kapa shansin tim”, tha Bajrami. /Sport Ekspres/