Kombëtarja në Botëror do të sakrifikonte gjumin e shqiptarëve, ndeshjet nisin në 04:00 të mëngjesit

Shqipëria është shumë pranë një arritjeje historike. Kuqezinjtë kanë siguruar “play off”-in për Kupën e Botës 2026. Por, për të shkuar në Amerikën e Veriut duhet të kalojnë fillimisht Poloninë dhe më pas fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Megjithatë, kualifikimi për herë të parë në Botëror do të sillte me vete edhe sakrifica për tifozët shqiptarë. FIFA ka publikuar sot oraret e ndeshjeve dhe shqiptarët duhet të sakrifikojnë gjumin e mëngjesit për të parë ndeshjet e Kombëtares.

Përballja e parë, në rast kualifikimi në grupe, do të jetë në Monterrei përballë Tunizisë. Ndeshja luhet në orën 04:00 të mëngjesit me orarin tonë. Ndërkaq, sfida e radhës përballë Holandës do të zhvillohet në orën 19:00, ndërsa ajo ndaj Japonisë në orën 01:00 të mëngjesit. Po të njëjtin fat do të ketë edhe Kosova në rast kualifikimi. Sfidat kundër Australisë dhe Paraguajit do të luhen më 06:00, ndërsa ajo e fundit kundër SHBA-ve do të zhvillohet në orën 04:00./Sport Ekspres/