“Në Shqipëri duhet të fitosh për të marrë rrogën”! Enea Bitri i sinqertë: Më vjen keq për Tiranën, më kanë bërë ofertë në verë

Enea Bitri ishte i ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN”. Mbrojtësi i cili luan në Hungari, ka qenë më parë pjesë e Partizanit. Ai ka treguar gjatë bisedës për problemet e futbollit shqiptar dhe njëkohësisht për tratativat e verës me Tiranën.

“Kjo është një pyetje pak e vështirë. Në Shqipëri po rriten akoma më shumë buxhetet, por jashtë ke më shumë garanci. Në Shqipëri është problemi i mentalitetit që duhet të fitosh për të marrë lekët e tua, ndërsa këtu janë të sigurta që ti do ta marrësh pagesën, në Shqipëri nuk funksionon kështu, prandaj jemi jashtë.

Mu bë qejfi që fitoi Partizani, por më erdhi keq për Tiranën sepse nëse bie nga Kategoria, i prishet bukuria futbollit shqiptar me derbin. Më vjen keq për Tiranën realisht se nuk është për këto nivele. Nëse unë kthehem në Shqipëri, Partizanin e dua të parin, është shtëpia ime. Megjithatë gjatë verës kisha shumë kontakte me Tiranën. Vangjel Mile më donte, ishte beratsi im, i thashë se do të bëja një sforco për të që të shkoja atje, por nuk më linin gjërat e tjera”, tha Bitri. /Sport Ekspres/