Shkëndija mposht Sllovan Bratisllavën dhe i shkon pranë kualifikimit, Drita merr humbjen e parë në Ligën e Konferencës

Shkëndija dhe Drita kanë luajtur sot ndeshjen e tyre numër 5 në Ligën e Konferencës. Dy klubet shqiptare patën rezultate të kundërta këtë mbrëmje. Kuqezinjtë e Tetovës kanë poshtur me shifrat 2-0 Sllovan Bratisllavën. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë të lojës. Fillimisht ishte Bajriçi ai që në minutën e 33-të e dërgoi topin në rrjetë. Më pas, në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë Spahiu dyfishoi shifrat. Një fitore mjaft e rëndësishme kjo e Shkëndijës, e cila tashmë i shkon pranë kualifikimit fazën me eleminim direkt.

Ndërkohë, Drita pati një fat të kundërt me kuqezinjtë e Tetovës. Skuadra nga Gjilani ka humbur në shtëpi me shifrat 0-3 nga AZ Alkmari. Kjo ishte edhe humbja e parë e Dritës në këtë sezon të Ligës së Konferencës. Pavarësisht kësaj humbjeje, ekipi nga Kosova mbetet në zonën që e dërgon në fazën tjetër të kompeticionit. Ndeshja e fundit e fazës së ligës do të luhet në 18 dhjetor dhe të dyja skuadrat shqiptare i presin kundërshtarë të vështirë. Shkëndija do të sfidojë AEK Larnakën në Qipro, e cila tashmë udhëheq tabelën e renditjes. Në krahun tjetër, Drita do të udhëtojë në Spanjë për t’u përballur me Rajo Vajekanon./Sport Ekspres/