“I plotësojmë të gjitha kushtet për t’u ngjitur në Superiore”, trajneri i Pogradecit: Në Kategorinë e Parë ka garë shumë të fortë

Emiljano Çela ishte i ftuar në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV”. Në rolin e trajnerit të Pogradecit, ai ka zbuluar objektivin e klubit për këtë sezon. Çela ka thënë se synimi i klubit juglindor është ngjitja në “Abissnet Superiore”. Sipas tij, skuadra e Pogradecit i plotëson të gjitha kushtet për ta arritur me sukses këtë objektiv sezonal.

“Në Kategorinë e Parë gara është e fortë. Niveli çdo vit është rritur shumë. Janë disa ekipe që kanë investuar shumë. Niveli i stadiumeve është përmirësuar. Kështu që bëhet një garë e fortë. Pogradeci është ekip i ri. Patjetër që ka pasur problemet e veta, pasi “puzzle” do kohën e tij të plotësohet. Është 100% biznes privat i presidentit të klubit.

Pogradeci i plotëson të gjitha kushtet. Është një kandidat për t’u ngjitur në Superligë. Ekipi i Kategorisë së Parë nuk ka shans ta mundi vendin e 8 të Superiores në “play out”? Është kot kjo, nuk ka asnjë lloj kuptimi. Pretendimet e klubit janë që të dalim në Superligë. Mëndoj që i kemi të gjitha shanset për të dalë në Superligë”, është shprehur Emiljano Çela./Spot Ekspres/