“Për ne shqiptarët është tek yjet”! Menaxheri flet për Armando Brojën: Për pak shënoi edhe golin e dytë, do ishte hero i vërtetë

Armando Broja ka arritur të shënojë në takimin Bornmouth-Burnley. Sulmuesi shqiptar mbylli thatësirën duke realizuar një gol shumë të bukur në minutën e fundit për t’i dhënë fund edhe krizës së Bërnli që vinte pas 7 humbjeve radhazi. I ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN”, gazetari i njohur Dëfrim Methasani, u shpreh me superlativa për talentin tonë.

“Ky është një rikthim i madh ky i Brojës. është një gëzim jo vetëm për Brojën, por edhe për Kombëtaren Shqiptare, për sportdashësit shqiptar dhe për të gjithë ne. është një aset dhe lojtar të tillë me cilësi të tilla janë të rrallë. Më kujton Arben Mingën ndonjëherë që me atë hapin gjigand që kishte, të linte targën, Broja të lë targën. Vetëm dëmtimet e kanë lënë mbrapa”, tha Methasani.

Nga ana tjetër, menaxheri Andi Matraxhiu theksoi faktin se Broja ishte shumë pranë golit të dytë dhe shpalljes së një heroi të vërtetë në atë takim.
“Kishte kohë të gjatë që e vuante golin dhe është normale që është mbi re, por duhet të na tregojë se çfarë ka aty lart mbi re, a ka gola të tjerë. Për ne shqiptarët ai është tek yjet. E ndoqa ndeshjen dhe Broja ishte edhe afër golit të dytë, ishte shumë afër. Pas tre minutash kishte një zgjatje me hapin e tij të gjatë dhe mund të ishte shpallur një hero i vërtetë”, tha Matraxhiu. /Sport Ekspres/