Përmbysi Komon, Alegri: Ka një arsye pse disa lojtarë vlejnë 100 milionë euro dhe disa 1 milionë euro

Milani përmbysi Komon e shifrat 1-3, duke ruajtur kështu vendin e dytë në tabelën e renditjes së Serisë A. Alegri ka thënë për “Sky Sport” pas ndeshjes se ishte një ndeshje e vështirë, ndërsa vlerësoi kontributin e dhënë nga portieri Menjo përgjatë 90 minutave të lojës. Trajneri i i kuqezinjve është shprehur se jo më kot ka lojtarë me vlerë 100 milionë euro dhe të tjerë me vlerë 1 milionë euro.

“Është një fitore e rëndësishme. Është gjithmonë e vështirë të luash kundër Komos, sepse ata luajnë mirë. Menjoja na ndihmoi. Edhe Modriçi kishte vështirësi në pjesën e parë, sepse ishim shumë të hapur. Menjoja ishte ylli i ndeshjes? Siç e them gjithmonë, ka një arsye përse ka lojtarë me vlerën 100 milionë euro dhe të tjerë me 1 milionë euro. Ata me vlerë 100 milionë euro i mban në fushë dhe kështu ke më shumë shanse për të fituar”, është shprehur Masimiliano Alegri./Sport Ekspres/