Dita e sotme ka nisur në mënyrë tragjike për familjen Alvarez. Vajza e lojtarit të Tiranës ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi bardheblu përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”. Tirana ka shprehur ngushëllimet për familjen Alvarez, ndërsa në shenjë solidariteti ndeshja kundër Flamurtarit është shtyrë për ditën e nesërme.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.
I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë. Ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjen Alvarez. U prehtë në paqe”, ka komunikuar klubi Tirana.
Në një postim të dytë klubi bardheblu ka njoftuar se: “Në shenjë respekti dhe solidariteti për humbjen e madhe të familjes Alvarez, është vendosur që ndeshja e planifikuar ndaj ekipit të Flamurtarit të shtyhet për ditën e nesërme, në orën 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi””./Sport Ekspres/