Michael Carrick e ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën e tij te Manchester United-i. Dy ndeshje në stolin e “djajve të kuq”, të dyja të fituara. Madje fitore të peshe mjaft të madhe, duke qenë se janë arritur kundër Arsenalit të Artetës dhe Manchester City-t të Guardiolës. Ish-mesfushori anglez ka ndezur sërish shpresat te tifozët e United-it, por nuk ka bindur Roy Kean-in. Ky i fundit ka deklaruar për “Sky Sport” se nuk do ta mbante Carrick-un trajner edhe nëse do t’i fitonte të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit.
“United-i e ka rikthyer vetëbesimin. Ata kanë marrë dy fitore të mëdha, por kushdo mund të fitojë dy ndeshje. Edhe nëse United-i do të fitonte çdo ndeshje deri në fund të sezonit, unë prapë nuk do t’ja jepja atij punën. Ende nuk do të isha i bindur se ai është njeriu i duhur për këtë punë. Absolutisht që jo.
United-i ka nevojë për një trajner më të madh dhe më të mirë. Duke marrë parasysh madhësinë e klubit dhe sfidat me të cilat do të përballen në vitet e ardhshme, ata kanë nevojë për një trajner që mund të fitojë ligën”, është shprehur Roy Keane./Sport Ekspres/