Kupa e Shqipërisë për vajza ka hyrë në fazën më vendimtare të saj, aty ku katër skuadrat më të mira zbresin në fushë për të siguruar biletën e finales.
Vllaznia, Teuta, Gramshi dhe Apolonia kanë kaluar me sukses fazën çerekfinale dhe tashmë janë vetëm dy hapa larg trofeut.
Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e para gjysmëfinale, të cilat pritet të ofrojnë rivalitet dhe mjaft emocione, bazuar në formën e ekipeve këtë sezon.
Sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave, përballjet gjysmëfinaliste janë:
Teuta – Vllaznia
Gramshi – Apolonia
Oraret zyrtare të ndeshjeve do të përcaktohen në vijim dhe do të komunikohen për publikun dhe mediat, në prag të një fundjave që premton spektakël në Kupën e Shqipërisë për vajza.