Kristjan Asllani është zyrtarizuar te Beshiktashi. Mesfushori shqiptar ka kaluar si një huazim me të drejtë blerje, jo e detyrueshme, ndërsa klubi turk do të paguajë rrogën e Asllanit deri në qershor. Më pas ngelet në këmbët e Asllanit për të bindur turqit që të blejnë kartonin e tij. Nga ana tjetër media turke “Haber” ka treguar pikat e dobëta dhe të forta të Asllanit, për t’i treguar tifozëve të Beshiktash që çfarë i pret.
“Shkalla e tij e fitmit të topit, e fitores në duelin mbrojtës dhe e kapjes së topit është shumë e ulët. Ai është një lojtar që humbet lehtësisht fokusin në kontaktin fizik. Kur përballet me një kundërshtar, është lehtësisht i driblueshëm. Nuk të jep përshtypje e një mesfushori shkatërrues të besueshëm. Por aftësia e tij e madhe është në pasimet e gjata, janë të jashtëzakonshme. Mund të shohë shokun e tij të ekipit dhe në hapësira të ngushta dhe të jap pasime depërtuese. Luan këmbën e djathtë, por ka edhe një këmbë të majtë shumë të mirë në gjuajtje dhe pasime të gjata”, shkruhet në “Haber”. /Sport Ekspres/