Pas përfundimit të javës së 22-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-4-3-3.
Igor Aleksovski i Flamurtarit është zgjedhur portieri më i mirë i javës. Gardiani i vlonjatëve u dallua me pritjet e tij vendimtare, duke ruajtur portën e paprekur në ndeshjen ndaj Vorës.
Në repartin e mbrojtjes bëjnë pjesë Andrey Yago (Vllaznia), Faton Neziri (Dinamo City), Aurel Marku (Bylis) dhe Marjus Kola (Partizani).
Treshja e mesfushës përbëhet nga Sherif Kallaku (Vllaznia), Rafael (Tirana) dhe Klaus Kashari (Vora).
Në repartin ofensiv janë përzgjedhur Xhonatan Lajthia (AF Elbasani), Xhuliano Skuka (Partizani) dhe Serge Tabekou (Tirana). Në ndeshjen Partizani – AF Elbasani, e mbyllur në barazim spektakolar 2-2, Xhonatan Lajthia ishte protagonist absolut me dy gola, ndërsa Skuka gjeti rrugën e rrjetës për skuadrën kryeqytetase.
Trajneri i javës së 22-të është përzgjedhur Ardijan Nuhiji i Tiranës. Tekniku bardheblu ka rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive, me Tiranën që numëron tre fitore dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.