Emisioni i 16-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”/ Arbër Hoxha flet për Kombëtaren, analizohet java e 22-të e kampionatit “Abissnet Superiore” & turneu Futsal Junior

Në FSHF TV u transmetua sot drejtpërdrejt emisioni i 16-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, nën moderimin e Lenida Halilaj. Të ftuar në studio ishin anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Anila Basha, si edhe Drejtori Teknik i SHRF Tiranë, Igli Mumajesi.

Pjesa e parë e emisionit iu kushtua paraqitjeve të legjionarëve të Kombëtares shqiptare. Në studio u komentuan zhvillimet e fundit, përfshirë transferimin e Kristjan Asllanit te Be?ikta? dhe rikthimin e Rey Manajt te Sivasspor.

U analizua gjithashtu forma e mirë e disa futbollistëve kuqezi, si Ernest Muçi, i cili ishte protagonist me Trabzonspor në Kupën e Turqisë me një gol dhe një asist në fitoren 3-0, Taulant Seferi që realizoi golin e tij të 12-të sezonal në kampionat me Bodrumspor, si edhe asistimi i Qazim Laçit në Superligën turke.

Pjesë e emisionit ishte edhe futbollisti i Kombëtares, Arbër Hoxha, i cili foli për momentin pozitiv që po kalon me Dinamo Zagreb, si edhe për objektivat me ekipin kombëtar. Ndeshja ndaj Polonisë po afron, dhe Hoxha theksoi se i gjithë grupi është i motivuar me synimin për të dhënë maksimumin, për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në Kupën e Botës 2026.

Në pjesën e dytë të emisionit u diskutua gjerësisht java e 22-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Forma shumë e mirë e Vllaznisë, që kryeson e vetme renditjen me 42 pikë, rikthimi i Tiranës, ndeshja e fortë Partizani – AF Elbasani, si edhe momenti jo pozitiv i Egnatias dhe Dinamo City ishin në fokus të analizës në studio.

Gjithashtu, u diskutua edhe për Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF, e cila do të mbahet më 16 shkurt 2026 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në fund të emisionit, vëmendja iu kushtua turneut Futsal Junior, të organizuar nga SHRF Tiranë. Drejtori Teknik, Igli Mumajesi, ndau detaje nga organizimi i këtij aktiviteti, ku morën pjesë rreth 500 fëmijë, si edhe foli për qëllimi kryesor të turneut.