“Legjendat Flasin”/ Bedri Omuri, golashënuesi më i mirë i Kombëtares në vitet 1984-85 rrëfen momentet kyçe të karrierës së tij

Nga një familje me traditë në mundje, Bedri Omuri zgjodhi një tjetër rrugë në sport, futbollin. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, një nga protagonistët e brezit të artë të 17 Nëntorit, rrëfen në rubrikën “Legjendat flasin” fillimet e tij mes rrugicave të Tiranës, momentin kur u zbulua nga profesori i fiskulturës në shkollën “Mihal Grameno” dhe hapat e parë te Dinamo.

Karriera e tij mori formë mes Tiranës dhe Besëlidhjes së Lezhës, përpara se të shndërrohej në një nga figurat kyçe të 17 Nëntorit, me të cilin fitoi tetë Kupa dhe luajti për një dekadë rresht. Në shtatorin e vitit 1982 erdhi edhe debutimi me Kombëtaren, ndërsa më pas do të shënonte gola të rëndësishëm ndaj Belgjikës, Polonisë dhe Greqisë, në një periudhë kur çdo ndeshje ndërkombëtare kishte peshë të veçantë.

Në këtë intervistë, Omuri ndalet te momentet kyçe të karrierës, kujton golat me fanellën kuqezi dhe krahason futbollin e dikurshëm me atë të sotmin, duke e cilësuar epokën e tij si një nga më të bukurat e futbollit shqiptar.

– Dua ta nis nga një fakt interesant, duke qenë se babai yt ka qenë pjesë e sportit të mundjes. Ty çfarë të shtyu drejt futbollit? Nuk ndikoi ai që edhe ti të kishe një orientim drejt sportit që ishte vetë?

Në atë kohë më tepër fëmijët luanin futboll në rrugë. Mundja ishte më specifike dhe nuk u ingranova. Edhe babai nuk ka insistuar që unë të merrem me atë sport.

– Kush ishte shtysë që të merreshe me futboll?

U bë shkas një profesor i imi i fiskulturës te shkolla “Mihal Grameno”. Ai më pa duke luajtur me shkollat dhe unë isha tek ekipi i Dinamos. Shkolla jonë varej nga sektori i Dinamos. Dhe u bëra pjesë e Dinamos. Futbollin e kam nisur me para të rinjtë e Dinamos.

– Karrierën e ke nisur shumë vonë në futbollin profesionist. Fillimisht te 17 Nëntori, pastaj te Besëlidhja.

Luajta dy vite tek ekipi i Tiranës (17 Nëntori), por jo rregullisht. Nga 1976 që mbarova Mjeshtërinë Sportive deri në 1978. Pastaj ika tek ekipi i Besëlidhjes në Lezhë. Aty shkova edhe ushtar. Më doli marksizmi 6, ndërsa duhej 8. Dhe u detyrova të bëj ushtrinë. Besëlidhja ka qenë një trampolinë. Aq më tepër që u aktivizova dy vjet rregullisht dhe luajta shumë mirë atje. Pastaj erdhi ftesa nga profesor Ver Shehu.

– Pas dy sezonesh me Besëlidhjen e Lezhës, u riktheve te Tirana. Në ndeshjen e parë ke shënuar edhe gol. Ndaj cilit ekip?

Në ndeshjen e parë me Shkodrën, këtu në Tiranë, kemi fituar 2-0 dhe një nga golat e kam shënuar unë.

– Ke fituar 8 kupa me ekipin e 17 nëntorit dhe ke luajtur 10 vite rresht. A ka qenë Tirana dashuria jote më e madhe?

Sigurisht, ishte jeta jonë. Atë futboll kishim. Aq më tepër që duke parë edhe atë mbështetje tifozësh që ka pasur dhe ka akoma Tirana. Atëherë më dukej më e bukur se sot. E kujtoj si një periudhë shumë të bukur. Për mua ka qenë brezi më i mirë i futbollit të Tiranës. Ndoshta moshat e tjera kanë nostalgji për veten, por unë them që ne ishim më mirë se të tjerët.

– Me Kombëtaren ke debutuar në shtator të 1982 kundër Austrisë dhe ke luajtur 14 ndeshje. Për atë kohë, ku nuk ka pasur shumë ndeshje, nuk konsiderohen pak. Si erdhi ftesa nga Kombëtarja?

Atëherë luhej një ndeshje në vit ose në 6 muaj, ashtu ishte kalendari. Mesa kujtoj, atëherë Tirana do të luante një ndeshje miqësore me Kombëtaren dhe ne do iknim në Irlandë të Veriut, ndërsa Kombëtarja në Austri, një javë pas nesh. Unë luajta shumë mirë, edhe Çim Muça. Edhe e mundëm Kombëtaren 3-0. Por, si ne, si ekipi kombëtar ishim akomoduar te hotel “Arbana”. Kur vjen profesor Shehu dhe na thotë që ti dhe Çimi do të shkoni te Kombëtarja. Pastaj mora vesh që kishte ndërhyrë shumë presidenti i asaj kohe, Mehdi Bushati. Ai kishte dhënë urdhër që këta të dy do i merni.