Kryeqyteti vishet i kuq. Derbi i zjarrtë i kryeqytetit është fituar nga Partizani. “Demat e kuq” mposhtën me shifrat 2-0 Tiranën në “Air Albania”. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë, kur Sidibe në minutën e 26 dhe Iskandarli në minutën e 36 vulosën rezultatin përfundimtar. Pas përfundimit të derbit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Super Gol”, i cili transmetohet në “RTSH”.
Kërnaja (Partizani): “Fitorja në derbi ka një adrenalinë tjetër. Është hera e dytë, nuk është hera e parë. Më vjen mirë për të dyja, edhe që fituam në derbi, edhe për vazhdimësinë në rritje të Partizanit. Në pjesën e dytë e kishim menduar ndryshe, por terreni na bëri të ishim disi të lexueshëm. Ne kemi më shumë cilësi se Tirana në atë zonë. Në pjesën e parë terreni ishte për ne. Kishim dy-tre raste të tjera para golit. Sidomos në fazën ofensive lojtarët tanë janë më të mirë. Lojtarët cilësorë në këto ndeshje duhen. Nuk mund ta zëvendësoja Skukën sot. Ai duhet të sakrifikojë për ekipin. Hyri dhe na dha fitoren ndaj Elbasanit dhe ky ishte shpërblimi, të luante deri në fund në derbi. Ne jemi aty, në luftë për vendin e 4-t dhe në luftë për trofeun e Kupës”.
Nuhiu (Tirana): “Do të kërkoja në fazën finale. Nuk po sulmonim portën, por thjesht po vazhdonim posedimin e topit. Kishim qarkullimin dhe nuk po finalizonim. Vogli shkonte poshtë për ta marrë topin dhe po humbnim numerikisht një lojtarë në atë zonë. Pjesa e dytë foli e gjitha për ne. Krijuam mjaftueshëm dhe nuk e merituam këtë humbje, sidomos në pjesën e dytë. Krijuam vërtetë mjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin. Po të shënonim mund të kishte marrë kah tjetër ndeshja. Nuk duhet të mërzitemi me këtë humbje. Kampionati është i hapur. Kemi lojtarë shumë cilësor. Nga kjo ndeshje nuk mund të përmirësojmë asgjë, por do të vazhdojmë në kampionat. Në momentin që do të jemi të kompletuar do të jemi edhe më lart se sa niveli i sotëm i pjesës së dytë”./Sport Ekspres/