Bodo/Glimti vazhdon të befasojë në arenën europiane. Norvegjezët e kanë shndërruar stadiumin e tyre në një fortesë ku edhe ekipet e mëdha nuk kanë mundur të dalin fitimtarë. Skuadra e radhës që ka dalë e mposhtur nga kjo transfertë ishte Interi. Zikaltrit e humbën ndeshjen e parë të fazës “play off” të Ligës së Kampionë me rezultatin 3-1.
Trajneri i Interit ka pranuar pas përfundimit të ndeshjes se është befasuar nga Bodo/Glimti. Kivu ka lënë të kuptohet se nuk e priste që kundërshtari të dilte në kundërsulm me aq shumë lojtarë. Më tej trajneri rumun ka theksuar se kushtet e stadiumit, i cili është me bar sintetik, nuk janë të pehta për asnjë ekip. Por ai ka shtuar se është ende një ndeshje për t’u luajtur, ku do të vendoset edhe kualifikimi.
“Tranzicionet e tyre na befasuan. Ata bënë mirë që mbërrinin me kaq shumë lojtarë përpara. Ne u përpoqëm të jepnim gjithçka në këto kushte, të cilat nuk ishin të lehta për askënd, por përfundoi kështu.
Tani duhet të shërojmë plagët tona, të bëjmë një bilanc të dhimbjeve dhe të luajmë ndeshjen tjetër, e cila do të jetë po aq e rëndësishme. Do t’u them djemve se ka ende një ndeshje për të zhvilluar dhe kualifikimi është ende për t’u luajtur”, ka deklaruar Kristian Kivu./Sport Ekspres/