Flamurtari vazhdon të mbetet në vendin e fundit të renditjes së “Abissnet Superiore”-s. Ditmar Bicaj bën përgjegjës të gjithë strukturën e klubit, duke nisur që nga presidenti, e për të vazhduar te punëtorët më të thjeshtë të fushës. Ish-mbrojtësi shqiptar ishte pjesë e panelit të emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN”, ku ka kundërshtuar marrjen e trajnerëve të huaj me pagesa të larta. Më tej, Bicaj ka vlerëzuar zgjedhjen e bërë nga presidenti i Partizanit, i cili i besoi stolin trajnerit të ekipit B, Olti Kërnajës.
“Ne jemi të dashuruar me të huajt. Është çështje inferioriteti. Flamurtari, të harxhojë 1 milionë e gjysmë euro dhe të jetë atje ku është… këtu mëkatet i kanë që nga presidenti i parë, te punëtori i fundit. Janë të gjithë mëkatarë. Ne vdesim për trajnerë të huaj, por kur vjen puna te rezultati… Presidentit Demi hiqi kapelen për zgjedhjen që ka bërë. Mori një njeri që kur erdhi në fillim të gjithë e kontestuan dhe sot nuk po dëgjohet asnjë për trajnerin. Kjo është e vërteta. Sot me rezultate po flet trajneri. A paguhet Kërnaja sa Milinkoviçi? Kjo është pyetja më e bukur”, ka thënë Ditmar Bicaj./Sport Ekspres/