Kristjan Asllani duket i rilindur te Beshiktashi! Mesfushori shqiptar ka hequr shumë peshë të madhe nga vetja pas largimit nga Serie A. Në kampionatin që ka një vëmendje më të madhe dhe ku Asllani kërkonte me patjetër që të ecte sa më shumë, gjërat nuk shkuan aspak mirë.
Thuhet shpesh se ndonjëherë dëshira e madhe për të provuar veten të bën që të dhurosh performanca të cilat janë për t’u harruar. Ky mund të quhet edhe rasti i Kristjan Asllanit që pasi zhgënjeu te Interi, zhgënjeu dyfish më shumë te Torino. Nëse edhe Torino të kthen nga huazimi përpara kohe, situata nuk është aspak e mirë.
Kështu shqiptari vendosi që të largohej fare nga Italia dhe të niste një aventurë të re, në Turqi. Ai iu bashkua Beshiktashit dhe që në ndeshjen e parë debutuese, do të ndëshkohej me karton të kuq. Por përpara se të merrte të kuqin, në fillim do të dhuronte asistin e golit. Kështu edhe në ndeshjen Beshiktash-Goztepe të mbyllur në shifrat 4-0 në ditën e djeshme, Kristjan Asllani ka shkëlqyer duke dhuruar asistin në golin e dytë të takimit, të shënuar nga Murillo.
Ky rast ka marrë një vëmendje të madhe në rrjetet sociale pasi ishte për t’u trajtuar ndryshe. Në fillim Asllani e mori topin nga portieri dhe teksa ishte në presionin e 4 lojtarëve kundërshtarë, shqiptari bën zgjedhjen më të vështirë, duke i nxjerrë huq të gjithë. Një zgjedhje kjo që Kristjani e pëlqen shpesh, për të bërë të kundërtën e asaj që mendohet. Vetëm 3 sekonda më vonë, në minutën e 35 e 28 sekonda, Kristjan Asllani hedh një vështrim dhe gjen Murillon, teksa gjendej i vendosur në mbrojtjen e Beshiktashit. Vetëm 12 sekonda më vonë, Asllani afrohet në zonën kundërshtare dhe pasi merr topin, gjen pikërisht lojtarin të cilin e kishte në horizontin e shikimit të tij që në nisje të aksionit, Murrilon, i cili shënoi një gol fantastik. /Sport Ekspres/