Irani ndryshon vendimin, do të marrë pjesë në Botëror: Kemi për të refuzuar vetëm Amerikën, jo kompeticionin

Irani nuk do të heqë dorë nga Kupa e Botës e kësaj vere pavarësisht se është në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Kjo u konfirmua sot nga Shoqata e Futbollit të këtij vendi. “Ne do të fillojmë përgatitjet për Kupën e Botës. Kampi ynë stërvitor do të jetë në Turqi, ku do të luajmë dy ndeshje miqësore”, tha shefi i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, duke shtuar: “Ne do të bojkotojmë Shtetet e Bashkuara, por nuk do të bojkotojmë Kupën e Botës.”

Irani duhej të luante të tre ndeshjet në SHBA. Dy ndeshje, kundër Zelandës së Re dhe Belgjikës, janë planifikuar në Los Angeles, dhe një duel kundër Egjiptit në Seattle. Iranianët kërkuan që ndeshjet e tyre të zhvendoseshin në Meksikë. FIFA e hodhi poshtë kërkesën për shkak të ndërlikimeve të një ndryshimi të papritur të vendndodhjes, por vendimi nuk është përfundimtar.

Gjithçka do të jetë e qartë më 30 prill në Kongresin e FIFA-s në Vancouver dhe duhet theksuar se Meksika është gati të marrë përsipër organizimin e ndeshjeve të kësaj Kombëtare. Presidentja e shtetit Claudia Sheinbaum dha një përgjigje të prerë kur u pyet nëse Meksika ishte gati të priste iranianët: “Po, është.” /Elio Hajdari-Sport Ekspres/