“Nuk jam trajner që qan dhe ankohet”, Silvinjo i kthen përgjigje trajnerit polak: Jemi përgatitur për 90 minuta, kam një ekip të shkëlqyer

Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht. Shqipëria do të luajë nesër përballjen historike kundër Polonisë, e vlefshme për gjysmëfinalen ‘play off’ të Kupës së Botës. Kombëtarja ka mbërritur në Varshavë, ku kapiteni Gjimshiti dhe Silvinjo kanë dhënë konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes. Trajneri i kuqezinjve nuk firmos për kohën shtesë, teksa është shprehur se e ka përgatitur sfidën për 90 minuta. Silvinjo ka vlerësuar ekipin kundërshtar, por ka nxjerrë në pah edhe rritjen e Shqipërisë nën drejtimin e tij.

“Polonia nuk është një skuadër që ka një zotërim topi dominant. Por është një skuadër që ka një kundërsulm shumë të mirë, vrasës. Kanë lojtarë të shpejtë. Janë lojtarë që janë mësuar të luajnë në Kampionate Europianë dhe Botërorë. Kam shumë respekt për trajnerin Urban. Është një skuadër më e mirë se sa një vit më parë.

Ju duhet ta thoni se sa është përmirësuar skuadra në këto 3 vite. E keni ndjekur edhe ju. Për këtë pjesë mendoj se jemi përmirësuar. Këtu flas për ciklin tim, jo për të trajnerëve të tjerë të mëparshëm. Nga marsi 2023 deri më sot, mendoj se është një ekip më i përmirësuar. Por edhe Polonia është përmirësuar. Kemi luajtur në Kampionat Europian në 2016, në 2024. Kemi pasur ndeshje si ajo kundër Serbisë, që përfshihet gjithmonë gjeopolitika. Kjo është një ndeshje, jo më e rëndësishmja, por ndër më të rëndësishmet. Kam dy muaj që nuk fle (qesh).

Duhet t’i përshtatemi situatës. Nuk jam trajner që qan dhe ankohet. Është e vërtetë që na mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, por duhet të përshtatemi sipas karakteristikave të lojtarëve që kemi. Trajneri i Polonisë tha se Shqipëria nuk do ta bëjë dot befasinë? Nuk e di përse e ka thënë këtë. Me sa e njoh unë, është një trajner inteligjent dhe i sjellshëm. Por ata luajnë në shtëpi. Polonia, një ekip i madh, Kanë shumë presion. Por nuk befasohem. Kam një ekip të shkëlqyer. Në Europian patëm 3 ndeshje radhazi me 3 Kombëtare të mëdha. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Jemi përgatitur që nesër të luajmë 90 minuta. Jam i kënaqur me listën që kemi dhe që kemi 3 lojtarë si Pllana, Muçi dhe Shehu.

Sa i përket tifozëve, janë forca jonë. Janë gjithmonë me ne, në stadium, në hotel. Ka shqiptarë ngado. Kjo ndeshje do të jetë tërësisht ndryshe nga ajo e një viti më parë. Do të jetë një ndeshje mjaft e bukur.”, është shprehur Silvinjo./Sport Ekspres/