Julian Shehu ka dhënë një intervistë të shkurtër për “TV Klan” në prag të sfidës kundër Polonisë, e cila do të luhet mbrëmjen e nesërme duke nisur nga ora 20:45. Mesfushori shqiptar luan në kampionatin polak dhe ka pasur mundësinë të mësojë më tepër rreth përshtypjeve që kanë kundërshtarët për këtë përballje. Ai është shprehur se në Poloni ka një lloj euforie, duke e parë veten superior në krahasim me Shqipërinë. Sipas Shehut, kjo eufori mund të jetë edhe pika e dobët e bardhekuqve.
“Është ndoshta ndeshja më e rëndësishme që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja shqiptare. Kështu që shpresojmë të dalim sa më mirë. Polonia ka të njëjtin mentalitet si para 3 viteve, megjithëse trajneri ka ndryshuar. Kualiteti nuk ka nevojë të diskutohet. Por kanë edhe ata pikat e tyre të dobëta. Me sa kam dëgjuar kohët e fundit, ata e kanë marrë paksa të sigurt fitoren. Kanë një farë euforie. Shpresoj që ajo euforia që kanë t’u kthehet në një ogur jo të mirë dhe ne të përfitojmë nga kjo. Nuk e di pse mendojnë ashtu, sepse jemi pak a shumë ekipe të njëjta. Kjo është një ndeshje teke dhe nuk përbën shumë diferencë individi në këtë pikë”, ka thënë Julian Shehu./Sport Ekspres/