“Jemi të trishtuar”, Silvinjo pas eleminimit: Jam krenar për lojtarët e mi, humbja është pjesë e procesit

Ëndrra e shqiptarëve për të parë Shqipërinë në finalet e Kupës së Botës 2026 ka marrë fund në Varshavë. Kuqezinjtë janë mposhtur në Poloni me rezultatin 1-2, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e fazës “play off”. Pas përfundimit të lojës, trajneri dhe lojtarët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”.

Silvinjo: “Jemi të trishtuar. Kishim mundësinë për ta mbyllur ndeshjen, por kështu është futbolli. Jam krenar për atë që kanë bërë lojtarët e mi sot. Është pjesë e procesit. Mbajeni kokën lart. E vështirë, nuk është e lehtë për t’u tretur. Por është pjesë e procesit. Kemi parë një Poloni shumë të fortë fizikisht. Hoxha shënoi dhe Uzuni ka bërë një ndeshje shumë të mirë. E menduam zëvendësimin me Pilon sepse mund ta kalonim në një skemë 5-3-2. Sapo hyri, pati edhe rastin për gol. Është lojtar që ka teknikë dhe luan shumë mirë me këmbë. Sot është e vështirë për të buzëqeshur. Por kjo është jeta. Do të mbetet gjithmonë në zemrën time e gjitha ajo që ne kemi bërë të gjithë bashkë”.

Laçi: “Nuk kam fjalë. Shumë e vështirë për t’u pranuar. Por jam krenar për të gjithë çunat. Nuk e meritonim këtë rezultat. Por të mos harrojmë, nuk kemi qenë asnjë herë në këtë fazë. Personalisht mendoj që sot fitoi ekipi që nuk e meritoi. Përpos 2 golave që bëri Polonia, nuk e mbaj mend të ketë krijuar ndonjë rast tjetër. Duhet të ngrihemi patjetër”.

Shehu: “Jemi shumë të mërzitur. E patëm ndeshjen vetë në kontroll. Kaluam të parët në avantazh dhe patëm dy raste të tjera. Normale, ne jemi Shqipëria, kaq raste mund të krijojmë. Jemi shumë të mërzitur. Jemi shumë të dëshpëruar për këtë rezultat. Vërtetë e kishim në dorë vetë për ta bërë ëndrrën realitet. Të gjithë djemtë janë shumë të mërzitur. Kjo është një mundësi që ndoshta të vjen një herë në jetë dhe të të ikë kështu nga duart… Duhet të gjejmë forcë që të vazhdojmë përpara, por kjo do pak kohë që të kalojë”.

Uzuni: “Kishim sakrifikuar shumë për këtë ditë. Tani na duhet të presim prapë 4 vite. Por nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh. Ky është rregulli i futbollit. Me keqardhje të madhe largohemi nga Varshava. I kërkoj falje të gjithëve. Kemi bërë një punë të shkëlqyer në anën defensive. Nuk jemi Portugalia apo Franca. Ne ato raste na jepen dhe duhet t’i shfrytëzojmë. Më vjen shumë keq”.

Gjimshiti: “Është e vështirë për të gjetur fjalët. Për disa nga ne ishte mundësia e fundit për ta dërguar Shqipërinë në Botëror. Shpresoj që çunat e rinj ta dërgojnë Shqipërinë në Botëror. Nuk e meritonim këtë. Tani është e thjeshtë pas ndeshjes. Ata kishin më shumë fizik. Ne na mungonin disa lojtarë që ishin pak më shtatlartë. Nga gabimet gjithmonë mëson diçka më tepër. Shpresoj të paktën të na bëjë krenar Kosova dhe ta fitojë ndeshjen me Turqinë. Ndoshta i zhgënjyem pak tifozët, por të shpresojnë që t’i kemi gjithmonë pas”./Sport Ekspres/