Henry frymëzoi trajnerin t’i ndërronte rolin, Shpendi: Kjo do të më sjellë vetëm përfitime

Kristjan Shpendi po përshtatet me rolin e tij të ri në fushën e lojës. Ashley Cole e ka zhvendosur në të majtë të sulmit, teksa ka sjellë si shembull Henry-në për të mbështetur vendimin e tij. Ish-futbollisti francez ishte një “9”-sh tipik, por cilësitë e tij bënë që më pas të luante si anësor i majtë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes kundër Sudtirolit, sulmuesi kuqezi ka pohuar se ky ndryshim në rolin e tij është diçka që mund t’i sjellë vetëm përfitime.

“Është diçka që mund të më sjellë vetëm përfitime. Sigurisht, në ndeshjet e para duhet të mësohesh me të, të përshtatesh dhe të mësosh lëvizjet. Por nëse filloj nga e majta, mund të tërhiqem dhe të provoj lojën time.

Mendoj se luajta një ndeshje të shkëlqyer dhe se e gjithë skuadra bëri një performancë të shkëlqyer. Zëvendësimi? Askush nuk është i lumtur kur zëvendësohet. Të gjithë duam të luajmë sa më shumë të jetë e mundur. Por është vendimi i trajnerit, të cilin e kuptoj 100%”, ka thënë Kristjan Shpendi./Sport Ekspres/