Tjetër goditje e madhe për Iranin para ndeshjeve të Botërorit, Kombëtaret po anulojnë miqësoret me ta

Ka mbetur pak më shumë se një muaj deri në fillimin e Kupës së Botës, e cila këtë vit mbahet në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. Të gjithë presin se cili do të jetë vendimi kur bëhet fjalë për Iranin, nëse do të marrin pjesë në Kupën e Botës të këtij viti apo nëse dikush tjetër do të shkojë në këtë garë në vend të tyre. Pasi iranianët kishin kërkuar më parë që ndeshjet e tyre të zhvendoseshin nga Amerika në Meksikë, FIFA e hodhi poshtë kërkesën e tyre.

Pati një qetësi që zgjati disa ditë, dhe së fundmi Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, foli për gjithçka. Konkretisht, Infantino tha qartë se Irani po vjen në Kupën e Botës.

“Irani po vjen, me siguri. Shpresojmë që situata të jetë e qetë deri atëherë, gjë që do të ndihmonte patjetër. Po, sigurisht që duhet të vijnë. Ata përfaqësojnë popullin e tyre. Ata u kualifikuan. Lojtarët duan të luajnë”, tha Infantino.

Ende nuk ka një vendim zyrtar nga Irani, por tani ata kanë pësuar një tjetër goditje të rëndë. Kjo vjen për shkak se Angola dhe Maqedonia e Veriut anuluan ndeshjet miqësore që kishin planifikuar me ta. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/