“Më thuaj një president që i dënoi ndeshjet e kësaj jave”, zhgënjimi i Alliut: Në Shqipëri gjithçka ka dalë në shitje

Ilir Alliu ishte pjesë e panelit të emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN”. Ish-lojtari shqiptar ka shprehur zhgënjimin e tij me rezultatet që prodhoi java e 34-t e kampionatit shqiptar. Alliu është shprehur se këto ndeshje treguan dekompozimin e “Abissnet Superiore”. Ai ngre pyetjen se si heshtën të gjithë presidentët e klubeve, të cilët sipas tij duhet të kishin dënuar përballjet e kësaj jave.

“Në tërësi kampionati jonë është i zbrazur. Kjo është faza e fundit që tregon dekompozimin e kampionatit shqiptar. Doja ta thoja me humor por nuk më lë egoja. Në Shqipëri u bë modë: ‘Presidenti s’di gjë, lojtarët hanë dardha pas kurrizit’. Se e kemi mënyrë jetese ne si vend këtë. Të jesh i dinjitetshëm dhe i qendrueshëm e të flasësh për vlera, është dobësi në këtë vend. Masivisht, nuk pashë të shqetësohej njeri, përveç tifozëve në rrjetet sociale.

Nuk pashë të shqetësohej njeri nga ata që i nxjerrin syrin arbitrit për një faull jashtë zone. Tani shkojnë dhe falin një ndeshje. Ti që e fal ndeshjen, kush je?! Me atë padrejtësi që ke bërë, duke i falur ndeshjen një kundërshtari, ke marrë më qafë një president të një klubi tjetër që ka shpenzuar miliona euro. Me një veprim të padrejtë e ndëshkon atë dhe e dërgon në një kategori më poshtë. Në Shqipëri kemi arritur në pikën ku gjithçka është në shitje. Më thuaj një president që i ka dënuar ndeshjet e kësaj jave… Por asnjëri nuk ndihet”, është shprehur Ilir Alliu./Sport Ekspres/