Luis Enrike ka shkruar historinë për PSG-në. Klubi francez ka arritur finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve. Atë që yjet e futbollit dhe milionat e shpenzuara për ta nuk e realizuan dot ndër vite, e arriti Luis Enrike me filozofinë dhe taktikat e tij. Presidenti i PSG-së ndërhyri gjatë intervistës së djeshme të trajnerit pas kualifikimit në finale, ku shprehu respektin e pa masë për figurën e katalanasit. Al Kelaifi deklaroi se nënshkrimi me Luis Enriken është vendimi më i mirë që ai ka marrë në 15 vitet e fundit në klub.
“Luis Enrike ka bërë revolucion në futboll, jo vetëm te PSG-ja, por në historinë e futbollit me atë çfarë ka bërë dhe po vazhdon të bëjë. Ai është vërtetë trajneri më i mirë në botë. Nënshkrimi me të është një nga vendimet më të mira, në mos vendimi më i mirë që kam marrë në këto 15 vitet e fundit të klubit.
Trajner fantastik. Më i miri në botë. Por gjithashth edhe si person ai është i jashtëzakonshëm. Mënyra se si ai i menaxhon gjërat e përditshme në klub, lojtarët, mediat, gjithçka, është e mrekullueshme. Jam shumë krenar që e kam në klub”, ka deklaruar Naser Al Kelaifi./Sport Ekspres/