Silvinjo nuk do të jetë më trajneri i Shqipërisë. Sot në konferencën për shtyp është prezantuar trajneri i ri i Kombëtares, Rolando Maran. Ndërkohë në fillim ka folur Silvinjo, i cili mbajti fjalimin e tij të lamtumirës.
“Për mua janë minuta emocionuese. Duam të falenderojmë, por kemi vendosur së bashku, të mbyllim këtë cikël te Shqipëria. Kemi punuar shumë që të përfaqësojmë mirë këtë Kombëtare. E njoh mirë Shqipërinë, e njoh mirë Tiranën dhe dua t’iu falenderoj shumë.
Dua të falenderoj Armand Dukën për besimin, dua të falenderoj të gjithë njerëzit që punojnë në Federatë, të gjithë lojtarët, jemi rritur të gjithë bashkë dhe në fund, tifozët dashamirës të Kombëtares. Dhe një gjë, shpirti, djersa dhe zemra nuk duhet të mungojë kurrë, e kam thënë që në ditën e parë. I uroj shumë suksese edhe trajnerit të ri”, tha Silvinjo.
Nga ana tjetër, Roland Maran, trajneri i ri i Shqipërisë, nuk e fshehu kënaqësinë e marrjes së kësaj përgjegjësie.
“Mua më pëlqen të kem një skuadër agresive. Duhet të demonstrojmë që jemi në të fortë në fushë, ADN-ja ime është kjo. E njoh mirë Shqipërinë, shumë lojtarë i njoh, i kam pasur shumë ndeshje Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre. Kam folur me De Biazin, që përvecse është mik i madh, është një trajner që unë e vlerësojë shumë. Më ka dhënë disa këshilla përpara kësaj pune. I kam parë pak më shumë ndeshjet e Shqipërisë në këto kohë. Besoj se janë mundësitë dhe kushtet për të bërë gjëra të mëdha, nëse nuk do të besoja te këta lojtarë, nuk do të isha këtu. Do të jetoj në Tiranë, kjo ishte një nga gjërat e para që kam diskutuar me presidentin, dua të jetoj këtu, të njoh realitetin”, tha Maran. /Sport Ekspres/