Opinion/ Rolando Maran e njohëm se kush ishte, por kush është…Shqipëria?

Mëngjesi i sotëm shënoi një ngjarje të veçantë për Kombëtaren tonë, një trajner iku dhe një tjetër erdhi, muzika, luhet po e njëjta. E lodhshme për veshin, por tërësisht e pritshme. Tashmë jemi kthyer një shoqëri e cila nuk ka kohë e as nerva për të dëgjuar dikë që të flas e lëre më për të pritur edhe një muaj, që të shohim se kush është trajneri i ri, Rolando Maran dhe si do jetë Shqipëria me të.

Kritikat dhe negativiteti janë pjesë e jona, e kësaj shoqerie, fatkeqësisht, e mira shihet rrallë. Ndoshta, vetëm këtë dimë të bëjmë dhe ndoshta, vetëm kështu jemi mësuar të jetojmë. Ishte paksa e dhimbshme që në konferencën për shtyp të trajnerit të ri, Maran, pyetjet e para lidheshin ende me ish-trajnerin Silvinjo. Njihemi për mikëpritje!

Ishte këtu dhe askush nuk e donte, të gjithë kërkuan që ta hiqnim, madje-madje, ta përndiqnim sa më shpejt të ishte e mundur. Dhe papritur shfaqet një trajner i cili ka një eksperiencë goxha të pasur në Serinë A, por këtë herë dukej sikur Marani ishte Shqipëria dhe Shqipëria ishte…Maran!
Pra trajneri i njohur shfaqi gjithë pasionin dhe emocionin e madh për faktin që do të drejtonte Shqipërinë, ndërsa nga ana tjetër, interesi ishte zero për të. Por kush është Rolando Maran?

Në kohën e tij si lojtar nuk ka qenë pjesë e ekipeve të mëdha të Italisë, por ka shfaqur diçka të veçantë. Që në moshën 25-vjeçare ishte si një trajner në fushë për shokët e ekipit. Menjëherë pas ndeshjeve, shkonte në dhomën e zhveshjes, nxirrte letrën dhe u tregonte shokëve të tij se ku gabuan gjatë ndeshjes. Situata u bë aq shumë stresuese aq sa mërzitja filloi edhe në dhomat e zhveshjes pasi shokët e ekipit kërkonin të bënin dush dhe të largoheshin, ndërsa Maran po projektonte të ardhmen e tij si trajner.

Filloi dhe ka drejtuar shumë ekipe në Itali, Breshia, Piza, Xhenoa, Cagliari, Chievo, Catania dhe shumë skuadra të tjera. Mesatarja e tij e pikëve është 1.31 pikë për ndeshje(jo keq), ndërsa skema e preferuar është 4-3-1-2, një skemë që përputhet me organikën e lojtarëve që ka sot Shqipëria.
Duke ditur sesa shumë e rëndësishme ishte për shqiptarët qëndrimi në Tiranë gjatë punës që do të drejtojë Kombëtaren, Maran nuk mendoi gjatë, bëri menjëherë gati valixhet. Nuk mendoi gjatë as kur firmosi kontratën, teksa kreu i FSHF, Duka tha: “Pranoi, madje nuk kishte lexuar fare kushtet e kontratës”.

Emocionin e shfaqi edhe në konferencën për shtyp, por nuk ishte një dashuri me shikim të parë. Kishte një ndrojë, një ftohtësi dy palëshe, por mund të rezultojë një dashuri e shëndetshme, jo nga ato pasionantet që nisin dhe shuhen shpejt, si me Silvinjon, por nga ato të cilat nisin më ftohtë, por shkruajnë historinë e jetës.

A do të jetë kjo e Maran te Shqipëria e tillë? Ky trajner ka si pikën më të fortë leximin e ndeshjeve, e adhuron video-analizën dhe është fantastik për të studiuar në detaj kundërshtarin, ashtu si edhe Silvinjo. Por ndryshe nga ky i fundit, ka eksperiencën mbi supe për të bërë lëvizjet e duhura në kohën e duhur, që Silvinjos i mungonte.

Kur braziliani erdhi te Shqipëria, të gjithë thanë se Shqipëria nuk ishte autoshkollë. Më pas, kush më pak dhe kush më shumë filluan të tregonin sesi ky njeri punonte 24 orë në Federatë dhe nuk shkonte te shtëpia e tij, për sa kohë Kombëtarja po fitonte.

Tani që Shqipëria ka një trajner me eksperiencë, kërkohet një emër i madh, nuk mjafton. Pasi i gjithë stresi, negativiteti dhe vreri i jetës së përditshme të zbrazet i gjithi, në fund njerëzit do të lodhen dhe do të bëjnë atë që duhej që në fillim, të presim për të parë ndeshjen e parë të Maran, përpara se të nisim gjykimet për të. Tashmë Maran e njohëm dhe lexuam se kush ishte, por a e njohëm veten tonë, se kush është Shqipëria? /Sport Ekspres/