Futbolli është një pasion që nuk shteron kurrë për Kristiano Ronaldon. Edhe pse në moshën 41-vjeçare dhe me një karrierë të tejmbushur me trofe e rekorde në ajkën e futbollit botëror, egoja e këtij njeriu nuk ngopet lehtë. Mbrëmjen e sotme, 5-herë fituesi i Topit të Artë ka marrë në duart e tij trofeun që i mungonte me fanellën e Al Nasërit.
Portugezi ka udhëhequr skuadrën drejt titullit kampion, me të cilin u kurorëzuan këtë mbrëmje. Ronaldo nuk mundi t’i kontrollonte emocionet e tij. Në fund të ndeshjes ai ka qarë si fëmijë, duke shfaqur me të njëjtin pasion si në fillimet e karrierës së tij. Më pas nuk ka munguar as festa me tifozët e pranishëm. Ronaldo ka marrë tupanin dhe ka ndezur tifozerinë, duke u shndërruar për një çast në një ultras dhe duke krijuar një atmosferë mahnitëse në stadium./Sport Ekspres/